Shqipëria 2040: Nga ekonomia e mbijetesës tek ekonomia e mirëqenies!

spot_img
Advertisements

nga Gjergji Nika

“Nuk është pasuria që krijon shtetin e fortë. Është shteti i fortë që krijon pasurinë”

Për më shumë se tri dekada politika shqiptare ka diskutuar pothuajse ekskluzivisht për zgjedhje, pushtet dhe rotacion. Shumë pak është folur për modelin ekonomik që duhet ta shndërrojë Shqipërinë në një vend ku qytetarët zgjedhin të jetojnë dhe jo të largohen.

Asnjë shtet nuk është bërë i pasur rastësisht. Zvicra nuk ka naftë, nuk ka det dhe nuk ka pasuri të mëdha natyrore. Singapori është një ishull i vogël që, kur fitoi pavarësinë në vitin 1965, kishte papunësi të lartë, mungesë burimesh dhe pasiguri. Sot të dyja janë ndër ekonomitë më konkurruese në botë.
Ato nuk u zhvilluan se kishin më shumë pasuri se Shqipëria, por sepse ndërtuan institucione më të forta.
Shqipëria nuk ka nevojë të kopjojë Zvicrën apo Singaporin. Ajo duhet të marrë prej tyre filozofinë e zhvillimit: shtet të fortë në zbatimin e ligjit, ekonomi të lirë në krijimin e pasurisë dhe meritokraci në drejtimin e institucioneve.

Shteti duhet të jetë i besueshëm, pasi asnjë investitor nuk rrezikon kapitalin aty ku prona është e pasigurt, drejtësia zgjat me vite dhe administrata ndryshon sipas orekseve dhe ngjyrës politike.

Reforma më e madhe ekonomike është ndërtimi i një shteti që garanton ligjin, respekton investitorin, qytetarin dhe pronën private.
Kur qytetari dhe investitori kanë besim, ekonomia zhvillohet dhe fillon të prodhojë pasuri.

Shqipëria i ka të gjitha mundësitë dhe duhet të bëhet ekonomia më konkurruese në Ballkan duke u kthyer nga ekonomia e konsumit tek ekonomia e prodhimit.
Shqipëria duhet të investojë në industri përpunuese, teknologji, energji, bujqësi moderne, logjistikë dhe turizëm masiv.
Objektivi nuk duhet të jetë të kemi më shumë ndërtime, por të kemi më shumë fabrika, laboratorë, qendra teknologjike dhe eksporte.

Diaspora është investitori më i madh strategjik ku mbi dy milion shqiptarë jetojnë jashtë vendit.
Ata përfaqësojnë miliarda euro kapital, njohuri, lidhje ndërkombëtare dhe përvojë profesionale.
Shqipëria duhet të krijojë një program kombëtar “Rikthehu për të Investuar”, që garanton:

  1. Zero tatim mbi fitimin për pesë vitet e para për investimet prodhuese;
  2. Fond garancie për investimet e diasporës;
  3. Njohje automatike të diplomave dhe eksperiencës;
  4. Procedura të përshpejtuara për çdo emigrant që hap një biznes në Shqipëri.
    Emigrantët nuk kthehen për nostalgji; ata kthehen kur shohin realisht mundësi.

Arsimi duhet të prodhojë ekonomi, d.m.th Universitetet nuk duhet të prodhojnë vetëm diploma.
Ato duhet të prodhojnë sipërmarrës, inxhinierë, ekonomistë, programues, studiues dhe krijues.
Çdo lek i investuar në arsim është investimi me kthimin më të madh për ekonominë.

Meritokracia duhet të zëvendësojë klientelizmin pasi asnjë vend nuk zhvillohet kur administrata mbushet me militantë politikë.
Institucionet duhet të drejtohen nga profesionistët më të mirë, dhe të rinjtë duhet të jenë kualitete.
Meritokracia nuk është luks është themeli i zhvillimit.

Një objektiv kombëtar për vitin 2040

Shqipëria duhet të vendosë objektiva të qartë dhe kombëtar për vitin 2040:

  1. Dyfishimin e Prodhimit të Brendshëm Bruto;
  2. Dyfishimin e eksporteve;
  3. Pagë mesatare të krahasueshme me vendet e Bashkimit Evropian në rajon;
  4. Rikthimin e dhjetëra mijëra emigrantëve me aftësi profesionale;
  5. Transformimin e vendit në qendrën logjistike, energjetike dhe teknologjike të Ballkanit Perëndimor.

Këto objektiva kërkojnë vizion, disiplinë fiskale dhe vazhdimësi politike. Politika shqiptare duhet të ndalojë së administruari varfërinë dhe të fillojë të ndërtojë pasurinë.
Shteti nuk duhet të jetë punëdhënësi më i madh, por garantuesi më i mirë i lirisë ekonomike dhe ai që krijon kushtet që qytetarët dhe biznesi ta krijojnë pasuri.

Nëse Shqipëria ndërton institucione të forta, garanton pronën, ul barrën fiskale mbi prodhimin, investon te dija dhe te kthen diasporën në partner strategjik, atëherë nuk do të jetë më një vend nga i cili njerëzit largohen.
Do të jetë një vend ku njerëzit zgjedhin të kthehen, sepse besojnë që e ardhmja e tyre ndërtohet në atdhe.

spot_img

Latest articles

Related articles