Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kreu i Partisë Socialiste, pasditen e kësaj të enjteje, ka mbledhur në Pallatin e Brigadave, drejtuesit politikë të PS dhe Kryetarëve të Komisioneve Parlamentare. Ndër të tjera Rama ka pasur edhe një përgjigje në lidhje me atë që “i shqetëson” protestuesit që po ngrihen në kryeqyetet për më shumë së 60 ditë: dorëheqja e tij. Kryeministri është shprehur se një parti qëndron në pushtet për aq vota sa i kadhënë populli, dhe më tej ka thënë se protestuesit sipas tij nuk janë populli.
Kryeministri më tej është shprehur se thirrja e vazhdueshme “Rama jepe dorëheqjen”, e cila tashmë është kthyer në “himn” të protestuesve çdo pasdite poshtë zyrës së tij, e energjizon dhe se mundet ndoshta ta bëjë edhe këngë.
“Unë e kam tagrin të vendos për veten time nëse duhet t’i dëgjoj apo jo dëshirat dhe urdhrat e një pjesë që këndon poshtë zyrës sime, jepe dorëheqjen. Ajo këngë më pëlqen dhe energjizon aq sa më gënjen mendja që mund të bëj një tjetër këngë me të. Por në çdo çast dhe rrethane përtej këngës, të largohesh nga detyra vetëm sepse një pakicë bërtet, nuk është tipar udhëheqës, as përgjegjshmëri institucionale. Është braktisje e një përgjegjësie shumë të madhe”, u shpreh kryeministri ndër të tjera.



