“Abuzim me ofertat” – Autoriteti i Konkurrencës merr masa ndaj ONE Albania

spot_img
Advertisements

Autoriteti i Konkurrencës, në përfundim të hetimit të thelluar ndaj One Albania SHA në tregun me pakicë të shërbimeve celulare ka vendosur kushte dhe detyrime specifike që reflektojnë ankesat e konsumatorëve pranë Autoritetit.

Vendimi i Komisionit të Konkurrencës deklaron se synon korrigjimin e shqetësimeve konkrete që kanë prekur konsumatorët dhe garantimin e çmimeve më të lira për shtresën e pensionistëve dhe studentëve, si dhe më shumë transparencë e mundësi zgjedhjeje për abonentët e të dy operatorëve.

Gjatë periudhës së hetuar Autoriteti i Konkurrencës thekson se u konstatuan rritje progresive dhe të përafërta të çmimeve, ngjashmëri e lartë ndërmjet paketave, reduktim i ofertave me çmime të ulëta dhe mangësi në dokumentimin e kostove që justifikojnë ndryshimet tarifore.

Për pasojë, Autoriteti i Konkurrencës vendosi masa konkrete në interes të qytetarëve. Sipas vendimit:

brenda 90 ditëve, të dy operatorët duhet të ofrojnë paketa të veçanta më të favorshme për pensionistët dhe studentët 18–23 vjeç;
paketa më e lirë duhet të jetë realisht e disponueshme edhe në pikat fizike të shitjes, jo vetëm në aplikacione online apo kanale digjitale;
pas përfundimit të kontratës, çdo abonent duhet të ketë të drejtë të kalojë në një paketë më të lirë, pa penalitete dhe pa pengesa të pajustifikuara;
çdo ndryshim në çmim, përmbajtje apo vlefshmëri të paketës duhet t’i njoftohet individualisht abonentit, qartë dhe të paktën 30 ditë përpara;
çdo rritje çmimi duhet të mbështetet në analiza të dokumentuara të kostove dhe ky dokumentacion duhet të ruhet për pesë vjet;
paketat e reja duhet të kenë diferencim real dhe të mos kufizojnë zgjedhjen e konsumatorit;
kontratat tip duhet të marrin vlerësimin paraprak të Autoritetit të Konkurrencës për shmangien e klauzolave të padrejta;
procedura dhe afati për bartjen e numrit nga një operator te tjetri duhet të shkruhen qartë dhe kuptueshëm në kontratë. Vendimi nr. 1307 i datës 24/07/2026 korrigjon probleme konkrete të konsumatorit: mungesën e informimit, vështirësinë për të zgjedhur një paketë më të lirë, aksesin e kufizuar në ofertat ekonomike, paqartësitë kontraktore dhe mungesën e alternativave për shtresa me të ardhura të ulëta.
Të gjitha detyrimet e vendosura nga Autoriteti i Konkurrencës do të monitorohen për një vit nga hyrja në fuqi e vendimit. Në rast moszbatimi të një prej pikave të vendimit, One Albania SHA do të përballen me penalitetet e parashikuara nga ligji.

spot_img

Latest articles

Related articles