Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka sqaruar incidentin që ndodhi në Kuvend, ku ai mori dokumentin e marrëveshjes me SHBA-në për huanë prej 302 milionë dollarësh dhe u largua me vrap.
Shehaj tha se e mori marrëveshjen për ta lexuar pas deklaratës së kryeparlamentarit Niko Peleshi. Ai tha se firmosi dokumentin për mospërndarjen e marrëveshjes dhe më pas e mori atë dhe u largua.
“Në lidhje me lajmet që kanë dalë mbi dokumentin e marrëveshjes, thjesht e keni parë vetë që kryeparlamentari u tha deputetëve që po ankoheshin se mund ta gjenin te zyra këtu afër. Nuk tha që nuk mund ta marrësh. Unë shkova, firmosa dokumentin për mospërndarjen e marrëveshjes dhe u largova. Ne na kërkojnë shumë gjëra në Kuvend, madje na kërkojnë të mos shkojmë kur është Rama”, tha ai
Më tej, Shehaj tha se, pasi e lexoi marrëveshjen, e dorëzoi sërish në zyrën ku e mori.“Marrëveshjen e dorëzova sërish aty ku e mora. Marrëveshja nuk ka dalë nga Kuvendi i Shqipërisë. E mora sepse më takonte. Ajo është një marrëveshje sekrete dhe nuk jam i autorizuar të jap detaje.”, u shpreh ai,Në fund, kreu i Partisë Mundësia tha se do ta votojnë pro marrëveshjen, por kritikoi procedurën që Kuvendi po ndjek.



