Biznesmeni i njohur Klodian Allajbeu përmes një komunikimi publik ka reaguar për lajmet e rreme që qarkullojmë në portale për një kontroll të SPAK në shtëpinë e tij. Ai hedh poshtë këto insinuata.
“Ditët e fundit janë publikuar në disa portale pretendime të pavërteta që lidhen me personin tim, dhe aktivitetin profesional. Dua t’i përgënjeshtroj qartësisht: këto pretendime janë tërësisht të sajuara.
I kuptoj edhe detyrimet e medias për të informuar publikun, por po aq të rëndësishme janë edhe verifikimi i fakteve, respektimi i etikës profesionale dhe i së vërtetës. Liria e shprehjes nuk mund të shndërrohet në liri për të shpifur.
Për këtë arsye, kam vendosur të ndjek të gjitha rrugët ligjore për të kërkuar përgjegjësi ndaj autorëve dhe publikuesve të këtyre shpifjeve. Besoj se kjo është mënyra e duhur për të mbrojtur jo vetëm dinjitetin tim dhe të familjes sime, por edhe reputacionin e kolegëve dhe profesionistëve të ndershëm që përmenden padrejtësisht në këto publikime.
Kam besim se institucionet do ta trajtojnë këtë çështje me seriozitet dhe se e vërteta do të dalë në dritë“.



