Ministri i Brendshëm, Besfort Llamallari, ka reaguar pas rasteve të shumta të shkeljeve të shpejtësisë në rrugët e vendit, duke bërë thirrje për më shumë përgjegjësi nga drejtuesit e mjeteve.
Përmes një postimi në Facebook, Llamallari bëri të ditur se vetëm gjatë natës së kaluar pajisjet inteligjente të Policisë së Shtetit regjistruan 206 raste të automjeteve që lëviznin me shpejtësi nga 150 deri në 212 km/h në akset nga Lezha në Fier, ku kufiri maksimal i lejuar është 90 km/h.
Sipas tij, drejtimi me shpejtësi të tilla e kthen automjetin në një rrezik serioz për jetën e drejtuesit dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.
Postimi:
Automjeti nuk është armë!
Vetëm gjatë natës së kaluar, pajisjet inteligjente të Policisë së Shtetit regjistruan 206 raste me shpejtësi nga 150 deri në 212 km/h, në akset nga Lezha në Fier, ku kufiri maksimal është 90 km/h. Çmenduri!
Po i shndërroni makinat në një armë vdekjeprurëse ndaj vetes dhe çdokujt tjetër që rastësia e sjell pranë!
Nëse rrugët i shihni si pista garash dhe makinën si mjet aventurash të rrezikshme, leja e drejtimit nuk bën më për ju!
Sot teknologjisë nuk i shpëton asgjë, Policia nuk bën kompromis dhe rrugët nuk do t’ua lëmë në dorë atyre që sillen si kamikazë në timon! See less



