Dosja penale në ngarkim të Dritan Zaganin, ish-shef i Seksionit të Narkotikëve në Policinë e Fierit, duhet të rigjykohet nga e para. Kështu ka vendosur Gjykata Kushtetuese, e cila më 21 Korrik 2026 ka vendosur të rrëzojë vendimin e Gjykatës së Lartë.
Avokatit të Zaganit, Dorian Matlija, vendimi i është dërguar vetëm sot dhe ai thotë se drejtësia tashmë ka marrë një kthesë të rëndësishme, e cila do të hedhë dritë mbi mënyrën sesi ish-shefi i Antidrogës u dënua me 4 vjet e 6 muaj.
Ai u shpall fajtor për veprat penale “shpërdorim detyre” dhe “moskallëzim krimi”, por sipas avokatit, drejtësia shqiptare nuk gjeti asnjë provë që të tregonte se Dritan Zagani kishte përfituar nga detyra apo se kishte favorizuar trafikantë.
“Përkundrazi, episodet e përdorura kundër tij lidhen me operacione të suksesshme që sollën sekuestrimin e 109 kilogramëve kanabis në Shqipëri dhe arrestimin në Itali të një personi me 6 kilogramë kokainë. Megjithatë, gjykatat e dënuan pa identifikuar ndonjë ligj konkret të shkelur, ndonjë dëm të shkaktuar apo ndonjë qëllim kriminal të Zaganit”, shkruan avokati.
Mbrojtësi ligjor Dorian Matlija thotë se çështja nuk mund të ndahet nga konteksti politik sepse Dritan Zagani kishte denoncuar lidhjet e ish-ministrit Saimir Tahiri me grupin Habilaj, trafikimin e drogës dhe dekonspirimin e operacioneve policore.
Përpara se gjykatat të vendosnin për fajësinë e tij, kryeministri Edi Rama e shpalli publikisht kriminel dhe bashkëpunëtor të trafikantëve të drogës, si dhe person që dekonspironte operacionet e policisë. Edhe ministri i Brendshëm e sulmoi publikisht dhe i paraqiti denoncimet e tij si shpifje të një personi që kërkonte të fitonte azil politik.
“Koha tregoi se denoncimet e Zaganit nuk ishin fantazi. Grupi Habilaj u bë objekt procesesh penale dhe ish-ministri Tahiri u dënua penalisht. Ndërsa Zagani, i shpallur fajtor publikisht nga Kryeministri përpara vendimit të gjykatës, u detyrua të largohej nga vendi dhe sot jeton nën mbrojtjen e azilit politik”, thotë avokati.
Gjykata e Lartë e mbylli çështjen pa iu përgjigjur pretendimeve themelore të mbrojtjes në një çështje kaq delikate, ndaj Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se kjo e kishte bërë aksesin e Dritan Zaganit në drejtësi vetëm formal dhe kishte cenuar të drejtën e tij për proces të rregullt ligjor.
Pritshmëria e ligjshme tashmë është që Gjykata e Lartë të zhvillojë një shqyrtim real dhe të përballet me pyetjen që drejtësia shqiptare e ka shmangur për më shumë se një dekadë në këtë çështje: A u përdor procesi penal për të ndëshkuar një oficer policie që denoncoi lidhjet e pushtetit me krimin?



