Aksidenti tragjik që i mori jetën dy shtetasve egjiptianë, Mohamed Lotf, 30 vjeç dhe Mohamed Ali, 44 vjeç, nuk ngre pikëpyetjet vetëm mbi shkaqet e përplasjes, por edhe mbi mënyrën se si ata u punësuan për të drejtuar një autobetoniere në Shqipëri. Dy viktimat kishin mbërritur në vendin tonë rreth një muaj më parë nga Egjipti, të pajisur me vizë pune dhe leje qëndrimi 1-vjeçare. Fillimisht u tha se Mohamed Lotf dispononte leje drejtimi për një kamion, ndërsa Mohamed Ali ishte i pajisur me dokumentacion si pompist.
Ndërkoë, pas spekulimeve të publikuara në media se ata ishin pajisur me leje drejtimi shqiptare brenda një muaji, reagoi zyrtarisht Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, e cila i hodhi poshtë kategorikisht këto pretendime. Sipas DPSHTRR-së, as Mohamed Lotf dhe as Mohamed Ali nuk janë pajisur me leje drejtimi shqiptare dhe as me Dëshmi Aftësie Profesionale për profilin “Automakinist”. Ky dokument është i detyrueshëm për drejtimin e automjeteve për përdorim të veçantë, ku përfshihen edhe autobetonieret. Institucioni sqaroi gjithashtu se, ndonëse neni 113 i Kodit Rrugor lejon shtetasit e huaj të qarkullojnë në Shqipëri me lejen e drejtimit të lëshuar nga shteti i tyre deri në një vit, Republika e Shqipërisë nuk ka marrëveshje reciprociteti me Egjiptin për njohjen dhe konvertimin e lejeve të drejtimit.
Megjithatë, deklarata e DPSHTRR-së mund të hapë një tjetër pistë hetimi që shkon përtej dinamikës së aksidentit. Nëse autobetonierja klasifikohet si automjet për përdorim të veçantë dhe drejtuesi i saj duhet të jetë i pajisur me DAP “Automakinist”, atëherë lind pyetja: Si dy shtetasit egjiptianë u lejuan të ushtronin këtë aktivitet në një kompani prodhimi betoni pa rezultuar të pajisur me këtë kualifikim sipas regjistrave të DPSHTRR-së?!
Pikërisht kjo është një çështje që mund të marrë rëndësi për një hetim penal. Prokuroria me siguri do të verifikojë, jo vetëm shkaqet teknike të aksidentit, por edhe procedurat e rekrutimit, dokumentacionin e punësimit dhe respektimin e legjislacionit që rregullon transportin rrugor dhe sigurinë në punë. Gjithashtu vlen të përmend se hetimi mund të përfshijë edhe administrimin e kontratave të punës, dokumentacionin profesional të dy punonjësve, procedurat e ndjekura nga punëdhënësi për verifikimin e kualifikimeve si dhe përgjegjësit e personave që kanë autorizuar drejtimin e autobetonieres.
Çështja merr një dimension tjetër edhe për shkak se një prej aksionerëve të AlbaBeton është e familjes Dulaku dhe z. Erjon Harizi, i cili njëkohësisht mban postin e kryetarit të Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë. Në prezantimin publik të rolit të tij, Harizi shprehet se misioni i tij është “të promovojë praktikat e mira, cilësinë e lartë dhe inovacionin”, duke theksuar se synon “të ndërtojë një shoqatë të fortë dhe të suksesshme që kontribuon në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit”. Pikërisht për këtë arsye, hetimi pritet të sqarojë nëse në këtë rast janë respektuar standardet ligjore dhe profesionale që kërkohen për punësimin dhe aktivizimin e drejtuesve të mjeteve të rënda, apo nëse ka pasur shkelje në procedurat e verifikimit të dokumentacionit.



