The New York Times raportoi se “Japonia po ndërmerr një përpjekje ambicioze për të ndërtuar për herë të parë një agjenci të centralizuar inteligjence që nga Lufta e Dytë Botërore, dhe po i drejtohet partnerëve në Perëndim për ndihmë. Liderët japonezë janë afruar privatisht me partnerë si Shtetet e Bashkuara, Australia dhe Gjermania në muajt e fundit për këshilla mbi teknologjinë, stafin dhe prioritetet, sipas intervistave me zyrtarë nga Japonia dhe vende të tjera. Bisedat nuk janë raportuar më parë. Të dielën, The New York Times raportoi se dhjetëra spiunë rusë janë zhvendosur në Japoni në vitet e fundit, ndërsa vendi u bë një fokus kyç i përpjekjes së Kremlinit për të blerë komponentë armësh, për t’i dërguar ato në Rusi dhe për të shmangur sanksionet. Zyrtarë të huaj kanë paralajmëruar Japoninë rreth kësaj përpjekjeje, por vendi ka qenë i ngadaltë në reagim. Sistemi i inteligjencës i Japonisë ka qenë prej kohësh i fragmentuar, me zyrtarë të mbrojtjes, diplomatë, policinë dhe të tjerë që mbledhin dhe analizojnë informacione pa i ndarë ato ndërmjet departamenteve. Kjo e ka lënë vendin veçanërisht të cenueshëm ndaj spiunazhit dhe ndërhyrjes së huaj, thonë ekspertët. Krijimi i një agjenzie të brendshme inteligjence është një shtyllë e përpjekjeve të Kryeministres Sanae Takaichi për të hequr kufizimet e mbrojtjes dhe sigurisë të vendosura mbi Japoninë pas luftës, ndërsa Japonia përballet me kërcënime në shumëfishim nga Kina, Rusia dhe Koreja e Veriut. Zonja Takaichi, një lider me orientim të fortë, e cila ka paraqitur një vizion të Japonisë ‘të fortë dhe të begatë’, ka anuluar tashmë ndalimet e eksporteve të armëve dhe ka shtyrë përpara rindërtimin më të madh të mbrojtjes së Japonisë në epokën e pasluftës.”
Burimi: https://www.nytimes.com/2026/07/13/world/asia/japan-intelligence-agency.html



