Deputeti Erion Braçe ka reaguar pas incidentit të gjuajtjes me vezë të deputetëve nga protestuesit para nisjes së seancës së sotme plenare. Në një video mesazh në rrjetet sociale, Braçe e cilëson të papranueshëm dhe jashtë çdo të drejte themelore, sulmin fizik ndaj deputetëve.
Sipas tij, askush nuk ka të drejtë të sulmojë fizikisht një tjetër, duke theksuar se veprime të tilla nuk mund të justifikohen në emër të lirive dhe të drejtave të njeriut.
Ai kritikoi edhe kryetaren e Komisionit të Kuvendit për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, për justifikimin sipas tij për të legjitimuar akte të tilla, duke nënvizuar se në një shtet demokratik reagimi ndaj kujtdo që gabon bëhet përmes votës dhe drejtësisë, jo përmes dhunës.
Sipas Braçes, sulmet fizike janë karakteristikë e sistemeve ku ekstremizmi i dhunshëm zëvendëson institucionet demokratike, ndërsa Shqipëria ka zgjedhur rrugën evropiane, ku dhuna konsiderohet krim dhe jo mjet politik.



