Legjenda e futbollit italian, Paolo Maldini, është rikthyer në skenën e futbollit me një detyrë të rëndësishme: rindërtimin e kombëtares italiane, e cila po kalon një periudhë të vështirë.
Federata Italiane e Futbollit (FIGC) ka konfirmuar se Maldini ka pranuar postin e drejtorit teknik të institucionit. Në këtë mision ai do të mbështetet nga ish-futbollisti dhe trajneri brazilian Leonardo, i cili do të shërbejë si këshilltar.
Dyshja, që ka bashkëpunuar më parë te Milani, do të kujdeset për riorganizimin e sektorit teknik të kombëtares italiane, përfshirë ekipin e parë dhe përfaqësueset e moshave.
Maldini është një prej figurave më të mëdha të futbollit italian. Ai ka luajtur 126 ndeshje me kombëtaren nga viti 1988 deri në vitin 2002 dhe ka kaluar gjithë karrierën e tij te Milani, ku fitoi shtatë tituj të Serie A.



