Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa, ka shprehur shqetësime lidhur me politikat mjedisore të qeverisë shqiptare, duke kritikuar mënyrën e miratimit të disa ndryshimeve ligjore për zonat e mbrojtura.
Gjatë episodit të fundit të podcast-it të saj “Service95 Book Club”, ku e ftuar ishte shkrimtarja shqiptare Lea Ypi, Lipa u ndal te zhvillimet aktuale në Shqipëri dhe veçanërisht te vendimet që, sipas saj, janë marrë pa një proces të mjaftueshëm transparence dhe konsultimi me publikun.
Në diskutimin për të ardhmen e vendit, këngëtarja përmendi ndryshimet e bëra në ligjin 21/2024 për ndërtimet në zonat e mbrojtura, duke ngritur shqetësime për ndikimin që këto politika mund të kenë mbi pasuritë natyrore të Shqipërisë.
Ajo solli si shembull zonën e lagunës së Vjosë-Nartës dhe zhvillimet e mundshme turistike në zonën e Zvërnecit, duke argumentuar se projektet e ndërtimeve luksoze mund të krijojnë pasoja negative për ekosistemet natyrore.
“Nuk mund të flasim për historinë e Shqipërisë pa folur për Shqipërinë sot. Më duket shqetësuese që qeveria mund të ndryshojë ligjin për mjedisin pa një konsultim publik”, u shpreh Dua Lipa gjatë podcast-it.
Deklaratat e saj vijnë në një kohë kur debatet mbi zhvillimin turistik, mbrojtjen e zonave natyrore dhe balancën mes investimeve dhe ruajtjes së mjedisit janë shtuar në Shqipëri.



