Operacioni i përbashkët i Policisë së Ekuadorit, Prokurorisë dhe Europol çoi në arrestimin e 18 personave.
Sipas autoriteteve, grupi trafikoi rreth 7.5 tonë kokainë me vlerë 225 milionë dollarë.
Një operacion i gjerë i zhvilluar nga Policia Kombëtare e Ekuadorit, Prokuroria e Përgjithshme e Shtetit dhe Europol ka çuar në çmontimin e një organizate të dyshuar të trafikut ndërkombëtar të drogës, e cila, sipas autoriteteve, kishte lidhje me struktura kriminale shqiptare dhe polake.
Operacioni, i koduar “Gran Fénix 0043 – Azkaban”, u zhvillua në orët e para të mëngjesit të 8 korrikut dhe përfundoi me arrestimin e 18 personave, mes tyre një shtetas shqiptar dhe një shtetas polak, të cilët konsiderohen drejtuesit kryesorë të rrjetit.
Sipas hetimeve, organizata dyshohet se ka trafikuar rreth 7.5 tonë kokainë, me një vlerë të përllogaritur prej 225 milionë dollarësh në tregjet ilegale ndërkombëtare.
Një nga të arrestuarit është Pëllumb Daci, i cili sipas autoriteteve ekuadoriane vepronte si përfaqësues dhe koordinues i organizatave kriminale evropiane në territorin e Ekuadorit.
Policia pretendon se roli i tij ishte të ndërmjetësonte bashkëpunimin mes grupeve kriminale të Amerikës së Jugut dhe rrjeteve të vendosura në Evropë, duke koordinuar dërgesat e kokainës drejt vendeve evropiane.



