Ndonëse prej më shumë se katër vitesh rezulton i zhdukur, emri i Ervis Martinajt, ish-bosit të lojërave të fatit, vijon të mbetet në qendër të vëmendjes të mediave dhe hetimeve të autoriteteve shqiptare.
Pothuajse në çdo dosje ku përmendet aktiviteti i grupeve kriminale apo transaksione të dyshimta, emri i tij del sërish mes fashikujve hetimorë.
Së fundmi, weblajm ka raportuar se emri i Martinajt ka dalë në dosjen “ARUBA”.
Komunikimet e siguruara nga platforma e enkriptuar SkyECC kanë nxjerrë në pah edhe elementë të rinj që lidhen me aktivitetin e Martinajt, ku përmendet përfshirja e tij në “biznesin e betonit” që përdorej për ndërtimin e kullave në Tiranë.
Këto komunikime tashmë janë bërë pjesë e materialeve hetimore dhe po analizohen nga autoritetet, në kuadër të disa procedimeve që lidhen me krimin e organizuar dhe aktivitetet financiare të dyshuara.
Sipas bisedave të zhvilluara në qershor të vitit 2020 mes personave që tashmë janë shpallur në kërkim, i referohen atij me shprehjen: “Qenka punë Vis Martini”.
Kujtojmë se gjurmët e Ervis Martinaj humbën përfundimisht në zonën e Shijakut. Prej datës 10 Gusht 2022, kur raportohet se ka udhëtuar drejt këtij qyteti, Ervis Martinaj rezulton i zhdukur dhe për këtë fakt, familja ka bërë në të njëjtën datë kallëzim në Policinë e Lezhës.



