*Ornela ÇUÇI
Në Shqipëri nuk kemi krizë të së majtës apo të së djathtës. Kemi krizë idesh.
Kur parimet zëvendësohen nga sondazhet dhe filozofia nga marketingu elektoral, partitë fillojnë të ngjajnë gjithnjë e më shumë me njëra-tjetrën. Pikërisht për këtë arsye, pyetja “kush do të qeverisë?” ështëshumë më pak e rëndësishme se pyetja “çfarë vendi duam të ndërtojmë?”.
Sigurisht që protestat e këtyre javëve kanë një meritë të padiskutueshme, pasi ato e kanë rikthyer politikën në qendër të debatit publik. Për herë të parë pas shumë kohësh nuk po flasim vetëm për SPAK-un, dosjet apo arrestimet. Në shesh ka dalë Gen Z, që kërkojnë të jenë pjesë e ndryshimit. Kjo është shenja më e mirë e një demokracie të shëndetshme. Pra, tani është koha të shtrojmë pyetjen që mungon.
Nëse nesër ndryshon qeveria, çfarë modeli zhvillimi vjen pas?
Historia e tranzicionit shqiptar, me të majtën, me të djathtën dhe përtej të majtës e të djathtës, është historia e rotacioneve pa transformim. Kemi ndryshuar qeveri, por shumë rrallë kemi ndryshuar paradigmën. Vazhdjmën të ndryshojmë administrator (përtej idealit partiak), ndërsa modeli mbetet pothuajse i paprekur. Dhe kur modeli nuk ndryshon, sic ndodh tek ne, rikthehemi sërish në të njëjtin debat, në fund të 4 vjecarit të qeverisjes së parë të emrit të përvetshëm.
Në Shqipëri ende flasim për mjedisin sikur të ishte një sektor. Nuk është. Është ekonomi. Është energji. Është bujqësi. Është turizëm. Është siguri ushqimore. Është shëndet publik. Është konkurrueshmëri. Pikërisht për këtë arsye më duket absurd që ende e trajtojmë si një çështje që i përket vetëm Ministrisë së Mjedisit, kur në fakt duhet të jetë filozofia mbi të cilën ndërtohet çdo politikë zhvillimi. Zhvillimi i gjelbër nuk është politikë mjedisore. Është vetë politika ekonomike e shekullit XXI. Për fat të keq, tek ne Ministria e Mjedisit shpesh është reduktuar në një zyrë raportimi për Brukselin, kur në fakt duhej të ishte një nga institucionet që mendon ekonominë e së ardhmes.
Mendoj se pikërisht këtu ndodhet boshllëku më i madh i politikës shqiptare. Edhe vetë fjala “I gjelbër/green” është keqkuptuar. Për shumë pushtetarë ajo do të thotë disa pemë të mbjella, një aksion pastrimi apo një slogan për klimën. Në të vërtetë, ekonomitë modern, aty ku ne duam të aderojmë, në Europë, mjedisi nuk është dekor. Është kapital. Një lumë i ndotur nuk është vetëm një problem ekologji, por automatiksht është më pak turizëm, më pak bujqësi, më shumë shpenzime shëndetësore dhe më pak vlerë ekonomike. Një pyll i shkatërruar nuk është vetëm humbje biodiversiteti, por përkthehet në më shumë përmbytje, më shumë erozion dhe më shumë para publike për të riparuar dëmet. Një qytet me ajër të ndotur nuk është vetëm një qytet më pak i bukur. Është një qytet më pak produktiv, më pak konkurrues dhe më pak tërheqës për investime. Kapitali natyror nuk është një luks që mbrohet pasi pasurohesh. Është një nga kushtet që të lejon të pasurohesh. Në literaturën bashkëkohore kjo mënyrë të menduari njihet shpesh si Green Liberalism. Emri ka më pak rëndësi sesa parimet mbi të cilat mbështetet, që janë ekonomi e lirë me rregulla të drejta, mbrojtje e kapitalit natyror dhe zhvillim që krijon mirëqenie afatgjatë.
Pikërisht këtu, sipas meje, ndodhet boshllëku më i madh i debatit politik shqiptar. Na duhet një mënyrë e re për të menduar zhvillimin. Një mënyrë që nuk e sheh më ekonominë dhe mjedisin si kundërshtarë, por si dy anë të së njëjtës strategji për mirëqenie. Do të thotë të pranosh se zhvillimi ekonomik dhe mbrojtja e mjedisit nuk janë më kundërshtarë, por partnerë. Do të thotë të pranosh se nuk mund të ketë ekonomi të fortë në një mjedis të degraduar, as mjedis të mbrojtur pa një ekonomi që krijon mirëqenie. Do të thotë të pranosh se për shumë vite, ne kemi rënë në një debat të rremë. Do të thotë të pranosh se nuk na duhet të zgjedhim ose zhvillim, ose mjedis, ose investime, ose natyrë. Në fakt, ekonomitë më të suksesshme, të BE-së ku duam të aderojmë, kanë kuptuar se kjo është një dilemë e rreme. Zhvillimi i qëndrueshëm nuk frenon ekonominë, por thjesht e bën atë më konkurruese.
Prandaj, kjo qasje nuk kërkon më shumë shtet. Kërkon shtet më të mirë. Kërkon një shtet që vendos rregulla të qarta, mbron konkurrencën dhe nuk lejon që fitimi i dikujt të ndërtohet mbi dëmin që u shkakton të gjithëve. E, në këtë model, sipërmarrësi nuk ndëshkohet sepse prodhon. Përkundrazi, ai shpërblehet kur sjell risi, kursen energji, përdor teknologji më të mirë dhe krijon më shumë vlerë me më pak burime. Nuk fiton ai që ndot më shumë. Fiton ai që është më inteligjent, më efikas dhe më konkurrues. Dhe mbron natyrën për sot dhe për brezat që do të vijnë. Edhe parimi “ndotësi paguan” nuk është një ide kundër tregut. Është një nga parimet më të drejta të tregut. Sepse tregu nuk është i lirë kur fitimi privat ndërtohet mbi një kosto që paguhet nga e gjithë shoqëria.
Kjo nuk është një etiketë e re politike. Është një mënyrë tjetër për të menduar zhvillimin. Një filozofi që nuk pyet më nëse duhet të zgjedhim mes ekonomisë dhe mjedisit, por si t’i bëjmë të dyja të ecin së bashku. Nëse protestat do të prodhojnë vetëm një rotacion politik, do të kenë bërë gjysmën e punës. Gjysmën tjetër do ta bëjnë vetëm nëse na detyrojnë të mendojmë ndryshe për modelin ekonomik që duam të ndërtojmë. Sepse Shqipërisë nuk i mungojnë më partitë. I mungojnë idetë. Partitë ndryshojnë qeveritë. Idetë ndryshojnë vendet.
*Ornela Çuci, ish-zëvëndësministre e Mjedisit dhe Turizmit



