Hekurudhat me panele diellore mund të bëhen së shpejti një realitet në Europë, pas rezultateve pozitive të projektit pilot të zhvilluar në Zvicër.
Sipas mediave europiane, Italia mund të jetë vendi i radhës që do të investojë në këtë teknologji inovative.
Kompania zvicerane “Sun-Ways” prezantoi vitin e kaluar hekurudhën e parë diellore në botë, duke instaluar 100 metra panele fotovoltaike mes shinave aktive në fshatin Buttes, në rajonin Val-de-Travers.
Projekti përfshinte 48 panele diellore me një kapacitet total prej 18 kilovatësh.
Megjithëse ishte planifikuar si një provë trevjeçare, rezultatet e vitit të parë kanë qenë aq pozitive, sa tashmë po shqyrtohet instalimi i përhershëm i sistemit përgjatë linjës hekurudhore.
Sipas kompanisë, panelet e vendosura në shina prodhojnë rreth 10 për qind më pak energji sesa panelet e instaluara në këndin optimal, por megjithatë gjatë një viti kanë gjeneruar rreth 16 mijë kilovat-orë energji elektrike. Kjo sasi është e përafërt me konsumin vjetor të një shtëpie mesatare në Mbretërinë e Bashkuar që përdor energjinë elektrike për ngrohje, ndriçim dhe pajisje shtëpiake.
Ekspertët vlerësojnë se, nëse kjo teknologji do të shtrihej në të gjithë rrjetin hekurudhor të Zvicrës, i cili ka një gjatësi prej mbi 5 mijë kilometrash, mund të prodhohej rreth një teravat-orë energji në vit, ose rreth 2 për qind e konsumit total të energjisë së vendit.
Megjithatë, projekti ka ngritur edhe pikëpyetje për sigurinë.
Unioni Ndërkombëtar i Hekurudhave ka shprehur shqetësime se panelet mund të pësojnë dëmtime, të rrisin rrezikun e zjarreve ose të krijojnë reflektime që mund të shpërqendrojnë drejtuesit e trenave.
Për t’i adresuar këto shqetësime, kompania “Sun-Ways” ka zhvilluar panele më rezistente se ato të zakonshmet dhe i ka pajisur me filtra kundër reflektimit.
Pas suksesit të projektit zviceran, Italia po konsiderohet si një nga vendet e para europiane që mund të adoptojë këtë model, duke i shndërruar linjat hekurudhore në burime të reja të energjisë së rinovueshme.
Planet për të nisur një projekt pilot në muajt në vijim do të zbulohen së shpejti.
Sun-Ways ka marrë gjithashtu miratimin e qeverisë për të instaluar një tjetër hekurudhë diellore në Korenë e Jugut, ndërsa janë duke u zhvilluar diskutime me kompani holandeze, kineze, indiane dhe singaporiane



