Pesë persona mbetën të plagosur, ndërsa një grua 70-vjeçare ndodhet në gjendje kritike dhe është e intubuar, pas tre sulmeve të koordinuara me bomba artizanale të tipit “gazakia” që ndodhën në orët e para të mëngjesit të së mërkurës në Selanik. Sulmet kishin në shënjestër banesat e tre zyrtarëve të partisë greke Demokracia e Re.
Objektivat ishin banesat e kryetarit të Komitetit Drejtues të Demokracisë së Re në Selanik, Zisis Ioakimovic, ish-deputetit Savvas Anastasiadis dhe politikanes Aphrodite Nestora. Sipas informacioneve, autorët e sulmeve lëviznin me motoçikleta.
Sulmi më i rëndë ndodhi në orën 04:35 në zonën Harilaou, ku një bombë artizanale shkaktoi një zjarr që u përhap në dy automjete dhe dy motoçikleta. Njëra prej makinave i përkiste Aphrodite Nestorës.Nga ky incident u plagosën pesë persona. Nëna 70-vjeçare e Nestorës pësoi djegie të rënda në të gjithë trupin dhe po trajtohet e intubuar në Njësinë e Kujdesit Intensiv të Spitalit “Hippocrates”. Vetë Nestora mori djegie të lehta në gjymtyrë, ndërsa babai i saj dhe dy banorë të tjerë të pallatit u dërguan në spital me probleme në frymëmarrje si pasojë e tymit. Zjarri shkaktoi gjithashtu dëme të mëdha në dy automjetet dhe dëme më të vogla në dy motoçikletat.



