Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit Klodian Braho deklaroi se SPAK-u do t’i bëjë vetë operacionet për arrestimin e personave në kërkim. Gjatë një seance dëgjimore në Komisionin e Reformës Zgjedhore, Braho pranoi shqetësimin e opozitës që persona në kërkim nuk ndalohen e ndikojnë në zgjedhje, duke vënë në dukje se ky është edhe shqetësim i vetë prokurorëve.
“Siç është një fenomen shqetësues për ju, mund të jetë edhe për ne. Sepse edhe ne kemi disa të kërkuar me masa sigurimi në mungesë, apo të dënuar në mungesë, vendime të cilat nuk janë ekzekutuar dhe ky është një shqetësim real. Nuk dua të bëj dicka publike sot, por ajo që duan të them është që po mendojmë një reagim të ndryshëm institucional nga SPAK për të qenë i aftë t’i bëjë vetë këto veprime të veçanta të natyrës operacionale”, tha Klodian Braho, kreu i SPAK.
Drejtuesi i SPAK deklaroi se prokuroria po sheh mundësinë që edhe përgjimet ti realizojë me hetuesit e saj.
“SPAK-u për kryerjen e përgjimeve të personave në vende publike, është i varur nga institucione të tjera, kryesisht është i varur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. SPAK-u synon që për një periudhë të shkurtër kohore të rekrutojë shërbime dhe të trajnojë hetuesit më tej për të qenë të aftë që në terren ne ti kryejmë vetë këto veprime”, shtoi Braho.



