Një 70-vjeçare, Emine Themeli, e cila më shumë mundësi nuk ka pasur asnjëherë rastin për të përdorur kompjuterin, në vitin 2023, krijon një kompani për ofrimin e konsulencës në fushën e teknologjisë së komunikimit.
Pensionistja e regjistron adresën e biznesit në apartamentin e saj, në Tiranë dhe brenda një kohë të shkurtër i faturon rreth 60 mijë euro zyrës ligjore “LC Consulting” të Leonidha Çobos, ish-administratori jetëgjatë i kompanisë koncesionare “Bankers Petroleum”.
Prokuroria e Fierit fillimisht, e më tej Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), të cilat zhvilluan hetime për abuzime të rëndë financiare pranë kompanisë private të naftës, kanë ngritur dyshime se e moshuara Themeli, por edhe familjarët e saj të afërt, janë përdorur si trampolinë për pastrimin e parave të Çobos.
Në vitin 2019, gjatë kohës që Çobo ishte ende pjesë e “Bankers”, regjistron zyrën e konsulencës “Leonidha Çobo-Person Fizik”, me emrin tregtar “LC Consulting”. Prokuroria dyshon se ai e ka përdorur studion për të “shkarkuar” paratë që kompania e vëllait të tij merrte tek “Bankers Petroleum”.
Në foto: Ish-administratori i Bankers Petroleum, Leonidha Çobo
“Për vitin 2019-2020, Leonidha Çobo faturon “Tea Co” për një shumë totale prej 21 milionë lekë të reja. Këto faturime ndërpriten menjëherë pas dhjetorit 2020, kur përfundon kontrata ndërmjet “Tea Co” dhe “Bankers Petroleum”, thuhet në dosjen e prokurorisë.
Krahas faturave për “Tea Co”, subjekti Leonidha Çobo ka deklaruar të ardhurave nga konsulenca edhe për disa subjekte të tjera private, në një total prej 155 milionë lekë të reja (rreth 1.5 milionë euro) veprime që prokurorët dyshojnë se janë fiktive.
Pensionistja Emine Themeli
Subjekti “LC Consulting” ka kryer faturime edhe për disa subjekte të tjera, nga të cilat Prokuroria veçon ato që kanë lidhje me shtetasen Emine Themeli dhe familjarë të saj.
Pensionistja 70-vjeçare ka regjistruar subjektin “Emine Themeli” shpk, me objekt “konsulencë për teknologjinë e informacionit”. Për periudhën 2023-2025, Emine Themeli ka kryer shitje të shërbimeve të saj në shumën totale 21.6 milionë lekë, kryesisht tek “LC Consulting” në shumën 8 milionë lekë, si edhe tek “C-Proprieties” shpk, “Factvisor Albania” shpk dhe “FactPlus”, në të cilat ka qenë aksioner djali i saj, Idlir Themeli.
Këto tre kompani, si edhe “Leonidha Çobo” shpk rezulton se kanë të njëjtën adresë për ushtrimin e aktivitetit.
Leonidha Çobo ka qenë themelues i “C-Proprieties” shpk. Në Prill të vitit 2024, ai ia shet aksionet e kësaj kompanie shtetasve Emirjon Marku, Aristir Stefa dhe Nertila Demiri, të cilët “rezultojnë përfitues nga qiraja e tokës që i kanë dhënë Bankers Petroleum gjatë kohës që Çobi ishte administrator i saj”.
Një prej blerërsve të rinj, Aristir Stefa rezulton se autorizonte Artur Çobon, vëllain e Leonidha Çobos, që të tërhiqte nga banka paratë që përfitonte nga toka që i kishte dhënë me qira kompanisë “Bankers Petroleum”.
Skema “fiktive”
Prokurorët kanë identifikuar edhe një situatë të dyshimtë me kompaninë “C-Proprieties”, gjatë kohës që aksioner ka qenë Leonidha Çobo. Të ardhurat e saj kanë qenë rreth 25 milionë lekë të reja, ndërkohë që shpenzimet për “parapagime të ndryshme”, arrinin në shifra shumë herë më të larta, në rreth 200 milionë lekë të reja.
Të dhënat hetimore tregojnë se “C-Proprieties”, gjatë asaj kohe, ka kryer parapagime për pasuri të paluajtshme në shumën 190 milionë lekë. Gjithashtu, “C-Proprieties” rezulton që ka kryer pagesa edhe për “Tea Co” të vëllait të Çobos, Arturit.
Pas largimit të Çobos nga “C-Proprieties” ajo kontrollohet nga Emirjon Marku, të dy bashkëpunëtorë të ngushtë në disa subjekte tregtare. “C-Proprieties” shpk rezulton se ka faturuar prej vitit 2023 në shumën rreth 13 milionë lekë të reja subjektin “IR” shpk. Kjo e fundit është në pronësi të “Alb-Star” shpk, me aksioner Idajet dhe Sadik Ismailaj. “Shoqëria Alb-Star është një nga nënkontraktorët më të mëdhenj të Bankers Petroleum”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Nga analiza e detajuar e aktivitetit të Leonidha Çobo, prokurorët thonë se ai ka aktivizuar “një model të përsëritur të transaksioneve me dyshim për mungesë thelbi ekonomik dhe vetë-faturime nëpërmjet entiteteve të kontrolluara prej tij apo të afërmëve…Ato krijojnë dyshime të bazuara për transaksione të stimuluara, shmangie tatimore, pastrim parash dhe justifikim të burimeve të pajustifikuara”. /Boldnews.al



