E para, Edi Rama fitoi mandat të 4.
Qysh në 2020, kemi pas bërë biseda tavoline se nëse Edi Rama merr mandat 3, nëse thyhet rregulli i pashkruar “8 njëri, 8 tjetri”, pushteti do të trimnohet shumë dhe opozita do të shkatërrohet.
Në atë kohë nuk e dinim si do të shkatërrohej por e dinim që diçka do të ndodhte. Ndodhi e paimagjinueshmja; frika e një politikani se mos e rrasin në burg, dhe frika e mijëra demokratëve të dëshpëruar nga humbja, u bashkuan si frikëra dhe prodhuan një lëvizje shkatërrimtare brenda opozitës.
Ata me mendjen e tyre e imagjinonin si heroike sepse me të tyren, ata po mposhtnin palën tjetër të cilën e qarkuan si tradhëtare, mirëpo rezonimi në shoqëri ishte më i gjerë se aq, ishte shkatërrimtar për mesazhin që do t’i jepej shoqërisë dhe imazhin që do të krijohej.
Me mendjen e tyre ata po mposhtnin Amerikën dhe imperializmin sorosian, pa e kuptuar se para shoqërisë shqiptare po zhyteshin në llucë. Po vendosnin fatin e pakthyeshëm; denigrimin para shoqërisë.
Pushteti kontrollohet nga një gur peshoreje; sa më i rëndë guri në anën opozitare të peshores, aq më shumë balancë, sa më i lehtë guri, aq më zhbalancim. Edi Rama mandatin e 3-të e gëzoi për shtatë palë qejfe. Bëri çfarë deshi.
Mandati i 4-t, doli më dramatik; opozitarizmi doli aq i diskretituar nga zgjedhjet, veç me 53 mandate. Po korrej çfarë ishte mbjellë në imazhin e 4 vjetëve sharje, shpifje, linçim, budallik. U humbi fuqia me 63 mandate e fituar në vitin 2021, fuqi e cila nuk i lejonte pushtetit ndryshime me 3/5. Tashmë për reforma të mëdha Rama nuk kishte nevojë për konsensus me opozitën sepse kishte 83+3 i vetëm.
Kur një pushtet krijon ketë lloj fuqie mandatesh dhe opozitarizmi është i ngordhur dhe qesharak, pushteti nis e mësohet me gjendjen e paprakshmërisë. E quan veten të përhershëm ngaqë në horizont nuk sheh asnjë “flotë” e cila po afrohet për ta kërcënuar. Aq më tepër kur opozita zyrtare parlamentare merr edhe lek e favore prej pushtetit. Aq më tepër kur Berisua nisi të ndihet i sigurt se asnjë parti e re nuk mundet ta rivalizojë në krahun opozitar dhe tani në komoditet të plotë mundet të lidhë pakt pas pakti me Edi Ramën, pa i dhënë llogari askujt.
Dështoi gjithçka. Dështoi shtetit por pakkush e kuptoi në thellësi se si dështoi. Protesta erdhi si një lloj fati. Të rinjt e të rejat ishin e janë të vetmit të cilët mundeshin ta diskretitonin Edi Ramën dhe t’i tregonin se në Shqipëri nuk ekzistojnë vetëm votuesit e tu dhe votuesit e Sali Berishës por ekziston ndërmjet tyre edhe një popull tjetër, popull i cili sta pranon supremacinë, sepse sjemi aq të mbaruar sa të mos e kuptojmë çfarë po bëni, e si po veproni.
Të rinjt e të rejat kanë kapacitetin për ta diskretituar e për të dalë superiorë mbi të, sepse ata kanë (ne pra kemi), supremacinë e argumentit. Skemi vjedhur, skemi vrarë, sjemi përgjegjës për asnjë poshtërsi të ndodhur në ketë vend. Para kësaj rinie Edi Rama ngjan ndryshk. Sepse është e kundërta. Kur i proteston Sali Berisha me ish qeverinë e vet, nuk po i proteston e kundërta, po i proteston e ngjashmja, prandaj njerëzit skanë interes.
Më pëlqeu që protesta e të rinjve pati edhe thirrje kundër Sali Berishës dhe praktikisht e ngujuan atë në seli, ia shkatërruan pretendimin se vetëm ai është opozitari dhe askush tjetër në ketë vend nuk mundet ta lërë pa gjumë Edi Ramën; ky pretendim i jep fuqinë për të bërë pazarin. Protesta tregoi se ka më opozitarë se ai, shumë më shumë se ai, dhe e lënë vërtet pa gjumë Edi Ramën, se mesa duket Sali Berisua e lë pa gjumë Ramën, por varet çfarë pagjumësie, pasi ka edhe pagjumësi qejfi, rri njeriu deri në 4 të mëngjesit duke u argëtuar. Sado fansat e tij qyrraviteshin duke thënë “ky ka 13 vjet në opozitë”, ky mbetet argument bajat.
Shqipëria nuk nis në vitin 2013. Themelet e kësaj republike aksionere e cila funksionon si kompani aksionere që ndan divident (fitime) vetëm për kastën sunduese, janë themele të hedhura nga Sali Berisha, Fatos Nano, Edi Rama, Ilir Meta. Pra i thanë atij nuk je opozitë, je sundimtar, aq sundimtar sa edhe sot del në konferencë dhe i thua Edi Ramës eja ndryshojmë kushtetutën, pa asnjë interes shtetëror e kombëtar, veç për interesin e privilegjit si sundimtar.
Iu bashkova protestës sepse nevojitej dëshpërimisht një akt fuqie qytetare. Kur kanë dështuar insititucionet, ka dështuar logjika, ka humbur përgjegjshmëria, vendi shihet si çiflig e parcelë e madhe, rruga e bukevardi janë vendi ku mund të ndërtohet oponenca. Ku mund të shpallet mosdakordësia. Ku mund të pohohet e afirmohet edhe një herë ekzistenca. Vendi ku mund të thuhet po, ne jemi, ne ekzistojmë, ju nuk na keni zhdukur, ne nuk pranojmë të nënshtrohemi.
Protesta në fjalë mbetet një ushtrim i madh demokratik dhe një demonstrim shumë i nevojshëm i popullit shqiptar për vetëmbrojtje. Vetëmbrojtje përballë sundimtarëve.



