nga Ermal Hasimja
Ka dy mënyra sesi protesta realizon qëllimin e saj për dorëheqjen e Ramës. Mënyra e parë është e drejtpërdrejtë: Rama vendos të japë dorëheqjen.
Mënyra e dytë është beteja e konsumit. Sa më shumë që zgjat protesta aq më shumë konsumohet Rama derisa arrin në pikën kur konsumi përkthehet në vota. Goditjen më të fortë Ramës ia ka dhënë ai vetë, duke treguar humbjen e qetësisë dhe arsyes, përdorimin e paqendrueshëm të teorive të komplotit (grekët xhelozë, iranianët, islamistët, antisemitët, algoritmi (me të cilin në fakt ka sërfuar prej 13 vitesh), akuzat ndaj të vetëve se po e braktisin, kërkesën për angazhim maksimal të patronazhistëve, antimitingun në Tiranë, etj, etj. Të gjitha më lart ilustrojnë dobësinë e tij.
Koha vepron në favor të protestës. Çdo ditë që zgjat protesta Rilindja humb qindra në mos mijëra vota, sepse vendos votuesit e Rilindjes përballë trysnisë gërryese të protestës së perceptuar gjerësisht si qytetare dhe jopartiake.
Por dorëheqja nuk mjafton, sepse Rama mund të japë dorëheqjen dhe të përdorë të njëjtat mjete për të fituar zgjedhje të parakohshme që do të shuanin protestën. Dorëheqja duhet pasuar nga një qeveri kujdestare që do të parandalojë përdorimin nga Rilindja të administratës, krimit të organizuar, klientëve të qeverisë dhe sistemit të vjetër zgjedhor.
- Dorëheqje.
- Qeveri kujdestare.
- Ndryshim i ligjit zgjedhor me përparësi proporcionalin kombëtar me koalicione parazgjedhore.
- Parandalim i përfshirjes në fushatë të administratës, krimit të organizuar dhe klientëve të qeverisë.
- Zgjedhje të parakohshme pas 1 viti.



