Princ Leka II: Inkurajoj qytetarët të angazhohen në mbrojtje të natyrës, Shqipëria amaneti ynë

spot_img
Advertisements

PRINC LEKA II

Zhvillimet e fundit në Parlamentin Europian tregojnë se rruga drejt Bashkimit Europian kërkon jo vetëm ambicie për zhvillim, por edhe respekt të plotë për shtetin e së drejtës, mbrojtjen e mjedisit, transparencën dhe interesin publik.

Natyra e Shqipërisë nuk është thjesht një pasuri ekonomike apo një burim zhvillimi. Ajo është pjesë e identitetit tonë, e kujtesës sonë kolektive dhe e trashëgimisë që do t’u lëmë brezave që vijnë. Brigjet, lumenjtë, pyjet dhe zonat e mbrojtura mbartin histori, jetë dhe një bukuri që nuk mund të rikrijohet pasi humbet.

Pikërisht për këtë arsye, është inkurajuese të shohësh kaq shumë qytetarë që angazhohen, që ngrenë pyetje dhe që kërkojnë të dëgjohen. Një shoqëri e gjallë nuk është ajo që hesht, por ajo që kujdeset për të ardhmen e saj. Zërat që janë dëgjuar këto ditë nuk flasin vetëm për një çështje të veçantë; ata shprehin dëshirën për më shumë përgjegjësi, transparencë dhe besim në mënyrën se si merren vendimet që prekin jetën e të gjithëve.

Shqipëria ka nevojë për zhvillim, por po aq ka nevojë për institucione të forta, për dialog të sinqertë dhe për vendime që ndërtojnë besim. Vetëm kështu mund të ecim përpara pa humbur atë që na bën unikë dhe pa lënë pas vlerat që duam të mbrojmë.

Ky është amaneti që kemi ndaj historisë sonë dhe detyrimi që kemi ndaj së ardhmes. 🇦🇱

spot_img

Latest articles

Related articles