Pas incidenteve të regjistruara gjatë protestës së së shtunës në Zvërnec, Ministria e Jashtme e Greqisë ka reaguar zyrtarisht, duke shprehur shqetësimin për ngjarjen dhe duke kërkuar sqarime.
Sipas deklaratës së shtetit fqinj thuhet se në fshatin “Svernets në rajonin e Avlonit, ku jetojnë kryesisht anëtarë të Minoritetit Kombëtar Grek, ka ankesa se një kompani private po ndërhyn dhe po cenon tokat dhe pronat që u konfiskuan në mënyrë të paligjshme nga regjimi komunist në vitet 1960 dhe ende nuk u janë kthyer pronarëve të tyre të ligjshëm.”
Në deklaratë vihet gjithashtu theksi te nevoja për mbrojtjen efektive të zonave të mbrojtura mjedisore, në përputhje me standardet dhe legjislacionin evropian, si pjesë e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Në debatin publik është përfshirë edhe eurodeputeti i partisë në pushtet në Greqi, Fredi Beleri, ku ai i ka dorëzuar një pyetje zyrtare në Komisionin Evropian.
Beleri shprehet se në fshatin Zvërnec të qarkut të Vlorës, ku jetojnë kryesisht anëtarë të Minoritetit Kombëtar Grek, një kompani private dyshohet se po ndërhyn dhe po zë toka e prona që ishin konfiskuar nga regjimi komunist në vitet 1960 dhe ende nuk u janë kthyer pronarëve të ligjshëm.
Në pyetjen drejtuar Komisionit Evropian, Beleri kërkon të dijë nëse Brukseli është në dijeni të këtyre denoncimeve, çfarë masash po merr për mbrojtjen e të drejtave themelore dhe pronësore të pakicave kombëtare në vendet kandidate, si dhe nëse përparimi i Shqipërisë në procesin e integrimit duhet të lidhet me rezultate konkrete në mbrojtjen e pakicave dhe respektimin e shtetit të së drejtës.
Deklarta:
Në fshatin Svernets në rajonin e Avlonit, ku jetojnë kryesisht anëtarë të Minoritetit Kombëtar Grek, ka ankesa se një kompani private po ndërhyn dhe po cenon tokat dhe pronat që u konfiskuan në mënyrë të paligjshme nga regjimi komunist në vitet 1960 dhe ende nuk u janë kthyer pronarëve të tyre të ligjshëm. Në të njëjtën kohë, gjatë protestave paqësore të banorëve për padrejtësinë që kanë pësuar, u regjistruan incidente dhune dhe kërcënimi nga njerëz që dyshohet se janë të lidhur me kompaninë, në prani të forcave të policisë.
👉 Këto incidente ngrenë pyetje serioze në lidhje me respektimin e lirive themelore, të drejtave të pronës dhe mbrojtjen e pakicave kombëtare të njohura në një vend kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
❓Nën këtë prizëm, Komiteti pyet:
A ka marrë dijeni për ankesat për incidente dhune dhe kërcënimi kundër banorëve të Svernets gjatë protestave paqësore dhe synon të kërkojë sqarime nga autoritetet shqiptare në lidhje me sigurimin e të drejtës për të protestuar?
Çfarë masash po merr për të mbrojtur të drejtat themelore të pakicave kombëtare të njohura, përfshirë të drejtat e tyre të pronës, në vendet kandidate?
A mendon ai se progresi i Shqipërisë në procesin e anëtarësimit duhet të lidhet me rezultate konkrete dhe të matshme në aspektin e mbrojtjes së pakicave dhe respektimit të sundimit të ligjit?



