Gjykata e Lartë ka vendosur të shtyjë me të paktën tre javë vendimin nëse duhet t’i kthejë ose jo celularin ish-administratorit të “Bankers Petroleum”, Leonidha Çobo, pasi “çështja është komplekse”.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë mori në shqyrtim kërkesën e Çobos në 21 Maj të këtij viti. Në përfundim të seancës së zhvilluar në “Dhomë Këshilli”, treshja e përbërë nga Ilir Panda, Albana Boksi dhe Sandër Simoni vendosi se “shqyrtimi i çështjes shtyhet për në datë 11.06.2026. për shkak te kompleksiteteit te çështjes”.
Vendimi nuk është zbardhur ende dhe, për momentin, është e paqartë se cili është elementi kompleks në sekuestrimin e telefonit celular.
Leonidha Çobo, i cili ka mbajtur detyrën e administratorit të kompanisë koncesionare të naftës në vitet 2010-2015, u arrestua fillimisht me urdhër të Prokurorisë së Fierit në korrik të vitit 2025, nën dyshimet se ishte përfshirë në një skemë masive pastrimi parash.

Bazë fillestare e hetimit ka qenë veprimtaria e dyshimtë e disa kompanive, të lidhura me ish-administratorin Leonidha Çobo. Veprimet e mëtejshme krijuan dyshime edhe për një seri kompanish e studiosh, të cilat kanë përfituar miliona euro nga “Bankers”.
“Tea Co”
Kompania “Tea Co” është në pronësi të Artur Çobo, vëllait të Leonadhi Çobos, administrator i “Bankers” nga viti 2010 deri në vitin 2015, ndërkohë që ka ushtruar funksioneve të tjera brenda shoqërisë deri në 2019.
Të dhënat hetimore tregojnë se “Tea Co” ka faturuar rreth 45 milionë euro për shërbimet në favor të “Bankers Petroleum”. Prokuroria ka konstuar se “Tea Co” e Artur Çobos ka përfituar shumat më të mëdha gjatë periudhës që vëllai i tij, Leonidha Çobo ishte drejtues i “Bankers”.
“Vihet re se të ardhurat e kompanisë “Tea Co” bien në mënyrë drastike në vitin 2020, menjherë sapo Leonidha Çobo largohet nga pozicionet drejtuese në “Bankers Petroleum”, thuhet në dosjen e prokurorisë. Në vijim, “Tea Co” ka deklaruar vetëm humbje dhe në vitin 2025 ka pezulluar aktivitetin tregtar.
“Mab Oil”
“Mab Oil” Ltd është një shoqëri me kapital italian, e regjistruar në Britaninë e Madhe. Prokuroria dyshon se Leonidha Çobo ka krijuar një skemë pastrim parash me këtë kompani, të specializuar në procese reklamuese. Prokurorët i mbështesin këtë dyshime edhe në një informacion zyrtar që kanë marrë nga pasardhësit e Çobos në “Bankers”.
“Bankers Petroleum, nën drejtimin e Çobo, ka lidhur një marrëveshje me kompaninë italiane të marketingut, MAB OIL Ltd. Kjo kompani u përzgjodh nga Çobo si konsulent për shitjen e naftës bruto në tregun europian. Por për të përfituar këtë kontratë, kompania italiane duhet t’i kthente mbrapsht Loni Çobos, në formë komisioni, vlera të konsiderueshme parash”, thuhet në dokumentin e dorëzuar në Prokurori.
“LC Consulting Albania”
Në vitin 2019, gjatë kohës që Çobo ishte ende pjesë e “Bankers”, regjistron zyrën e konsulencës “Leonidha Çobo-Person Fizik”, me emrin tregtar “LC Consulting”. Prokuroria dyshon se ai e ka përdorur studion për të “shkarkuar” paratë që kompania e vëllait të tij merrte tek “Bankers Petroleum”.
“Për vitin 2019-2020, Leonidha Çobo faturon “Tea Co” për një shumë totale prej 21 milionë lekë të reja. Këto faturime ndërpriten menjëherë pas dhjetorit 2020, kur përfundon kontrata ndërmjet “Tea Co” dhe “Bankers Petroleum”, thuhet në dosjen e prokurorisë.
Krahas faturave për “Tea Co”, subjekti Leonidha Çobo ka deklaruar të ardhurave nga konsulenca edhe për disa subjekte të tjera private, në një total prej 155 milionë lekë të reja (rreth 1.5 milionë euro) veprime që prokurorët dyshojnë se janë fiktive.
“LC Consulting” e Çobos ka ofruar shërbime në shumën 31 milionë lekë të reja për kompaninë e naftës, “Al. Global Oil”, kjo e fundit në pronësi të “Europetrol Group”, e njohur për pikat e karburantit “Eida” me aksionerë fundorë Asllan, Skënder, Gerian dhe Eno Kuqi.
Gjithashtu, klient i rëndësishëm i Leonidha Çobos është “H2015” shpk, një studio konsulence e lobimi në pronësi të ish-ministrit demokrat, Besnik Mustafaj dhe djalit të tij, Dardanit. Sipas dosjes së Prokurorisë, “H2015” shpk ka paguar për Çobon fatura në vlerë totale 29.5 milionë lekë të reja.
Një kompani me seli në Bullgari, “GreenHouse Smart Technology LTD”, e cila, siç cilësohet nga prokurorët, “nuk ka asnjë lidhje me tregun e hidrokarbureve”, ka faturuar në favor të studios së Leonidha Çobos rreth 1.8 milionë lekë.
Subjekti “LC Consulting” ka faturuar rreth 10 milionë lekë të reja për kompaninë greke “AS Geotechnology” shërbime, të cilat, sipas dosjes hetimore, “nuk lidhen aspak me ekspertizën e Çobos”.
Në vijim, “Leonidha Çobo-Person Fizik” rezulton se ka faturuar rreth 15 milionë lekë të reja subjektin “C.C.S” shpk, me objekt në fushën e pajisjeve teknologjike dhe me pronarë Genc Likoskëndaj, Arjan Bare dhe Blerind Mehmeti.



