Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e biznesmenit Valon Ademi dhe kompanisë së tij lidhur me administrimin e Aeroportit të Vlorës, duke i hapur rrugë rikthimit në projekt të kompanisë së Behgjet Pacolli.
Me vendimin e marrë ditën e sotme, Gjykata e Lartë ndryshoi vendimet e mëparshme të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe të Apelit në Tiranë, duke rrëzuar masën e sigurimit të padisë të kërkuar nga shoqëritë “Vlora International Airport” dhe “ZA Group”.
Më herët, Gjykata e Apelit kishte lënë në fuqi vendimin që i jepte Valon Ademit të drejtën për administrimin e Aeroportit të Vlorës, ndërsa kompania e Behgjet Pacollit përjashtohej nga vendimmarrja.
Përplasja ligjore mes palëve kishte sjellë tensione edhe në kantierin e punimeve të aeroportit, ku ditët e fundit u raportuan përplasje mes punonjësve të kompanisë së Pacollit dhe përfaqësuesve të kompanisë së Ademit.



