Në një epokë ku kërkohet paqja përmes armëve si kusht për të pohuar dominimin e vet, ekziston një nevojë urgjente për t’u kthyer te një diplomaci që promovon dialogun dhe kërkon konsensusin në të gjitha nivelet: atë dypalësh, rajonal dhe shumëpalësh.
Papa Luani XIV u kujton ambasadorëve të rinj jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të Sierra Leones, Bangladeshit, Jemenit, Ruandës, Namibisë, Mauritiusit, Çadit dhe Sri Lankës thirrjen e misionit të tyre, esencën e detyrës së tyre, rolin themelor për të krijuar “ura” dhe për të nxitur “dialogun”, si dhe rëndësinë e multilateralizmit. Papa Leoni XIV i priti ata në audiencë, sot paradite, 21 maj, në Pallatin Apostolik në Vatikan, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale.
Një diplomaci që promovon dialogun
Në pragun e Rrëshajave, solemnitet që kujton “se si Shpirti Shenjt” i zbritur mbi dishepujt shndërroi “frikën në guxim dhe ndarjen në bashkim”, Papa shpreh shpresën se “një vizion i tillë bashkimi mund të frymëzojë botën e diplomacisë”. Një botë, nënvizon Ati i Shenjtë, “ku marrëdhëniet konstruktive mes kombeve lulëzojnë përmes një hapjeje të sinqertë, promovimit të respektit reciprok dhe një ndjenje të përbashkët përgjegjësie”.
Në një moment kur tensionet gjeopolitike vazhdojnë ta fragmentojnë edhe më tej botën tonë, është e nevojshme t’i bëjmë ato më përfaqësuese, efikase dhe të orientuara drejt bashkimit të familjes njerëzore.
Ambasadorët pranë Selisë së Shenjtë gëzojnë, në këtë kuptim, një rol vendimtar që është ai i krijimit të “një ure të çmuar besimi dhe bashkëpunimi” me vendet që përfaqësojnë. Atyre Papa Leoni XIV u beson misionin për të rigjallëruar një dialog “të motivuar nga një kërkim i sinqertë i rrugëve që çojnë drejt paqes”; kjo kërkon që “fjalët të shprehin sërish realitete të qarta, pa shtrembërime e pa armiqësi”. “Vetëm atëherë do të mund të shmangen keqkuptimet”, thotë Papa. Dhe “vetëm kështu do të mund të kapërcehen mosmarrëveshjet dhe të rindërtohet besimi në kontekstin e marrëdhënieve ndërkombëtare”.
Suksesi matet me dashurinë ndaj të fundmëve
Këtij dialogu “të ndershëm dhe të qartë”, i cili mbetet sigurisht “thelbësor”, duhet megjithatë t’i bashkëngjitet edhe një “kthesë e thellë e zemrës”, vë në dukje Papa, domethënë “gatishmëria për të lënë mënjanë interesat e veçanta në emër të së mirës së përbashkët”. Pikërisht ky “shpirt solidariteti” duhet, në fakt, “të karakterizojë shërbimin e diplomatëve” dhe “të forcojë organizatat ndërkombëtare”. Institucione këto të cilat, nënvizon Papa, “mbeten instrumente të domosdoshme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe promovimin e bashkëpunimit”. Lidhur me këtë, Ati i Shenjtë kujton në fjalimin e tij në anglisht një nga pjesët më domethënëse të nxitjes apostolike Dilexi te.
“Asnjë komb, asnjë shoqëri dhe asnjë rend ndërkombëtar nuk mund ta quajë veten të drejtë dhe human nëse e mat suksesin e vet ekskluzivisht në terma të pushtetit apo prosperitetit, duke lënë pas dore ata që jetojnë në margjina. Dashuria e Krishtit për të fundmit dhe të harruarit na shtyn të refuzojmë çdo formë egoizmi që i bën të padukshëm të varfrit dhe të cenueshmit”
Paqja për të cilën bota ka nevojë
Në përfundim, Papa Luani garanton lutjen e tij që “përpjekjet e përbashkëta të kontribuojnë në përtëritjen e angazhimit në kuadrin e marrëdhënieve dypalëshe dhe shumëpalëshe, si dhe të ndihmojnë për të tërhequr vëmendjen mbi ata që, në margjinat e shoqërive tona, janë shpesh të harruar”. “Në këtë mënyrë – pohon Papa – do të mund të punojmë së bashku për të hedhur baza më solide për një botë më të drejtë, vëllazërore dhe paqësore”. Nga ana e Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit dhe Dikastereve të Kuries Romane, do të ketë gjithmonë “gatishmëri” të plotë për t’i asistuar diplomatët e rinj.
“Uroj që misioni juaj të mund të forcojë dialogun, të thellojë mirëkuptimin e ndërsjellë dhe të kontribuojë në paqen për të cilën bota jonë ka kaq shumë nevojë”.



