Drejtori i Përgjithshëm i MCN TV, Endri Meksi, e sheh të ngushtë lidhjen e dyshes Agasi Beqiri me biznesmenin Gentian Likaj, i cili u paraqit sot në SPAK në kuadër të hetimeve për dosjen e AKSHI-t.
Meksi tha se detajet flasin për përfshirjen e tij në paracaktimin e tenderave, megjithatë do të jenë hetimet ato që do të zbardhin plotësisht rolin e tij.
Është deri diku e paqartë, po hetohet. Por është e qartë që është i lidhur me to. Është i lidhur më shumë se kaq në një marrëdhënie më okulte. Nuk më takon ta them, do ta thotë gjykata. Lidhja është shumë e ngushtë me dyshen Agasi-Beqiri. Detajet tregojnë për pjesëmarrje të qartë në atë që është thelbi i dosjes: paracaktimi i tenderave.
Meksi u pyet edhe për arsyen e thirrjes së Likajt në SPAK.
Mund të ketë pjesë për të cilat duhet qëndrimi i Likajt. Mund të ketë pjesë ku duhet të mbrohet. Nga materialet që kemi, marrëdhënia e paligjshme e bashkëpërfshirjes së tij në këtë aferë është e qartë.
Është një dosje me shumë shoqëri rë përmendura, shumë emra të përmendur.
Në lidhje me rrëmbimin e biznesmenit Geron Meçe, Meksi tha se ajo shënoi pikën finale historisë së grupit të AKSHI-t.
Rrëmbimi është pjesa që ndjek kronika e zezë dhe ne si media. Nuk mendoj se ka qenë këtu problemi. Aty ka qenë pika finale, momenti kur janë dorëzuar nga nervat ata që janë marrë me zotin Meçe, i cili ankimonte procedurat. Dështimi i palës kundërshtare për ta bindur të tërhiqej ka çuar te rrëmbimi. E gjithë dosja ka këtë histori. Rreth saj është bërë pjesa më e madhe e hetimeve të SPAK



