RENEA “kreh” Lezhën, Kurbinin dhe Mirditën, në fokus të kërkuarit nga SPAK

spot_img
Advertisements


Gjatë mbrëmjes së kaluar dhe deri në orët e para të mëngjesit të kësaj të premteje, forcat speciale RENEA dhe Policia e Shtetit kanë zhvilluar një operacion të gjerë kontrollesh në disa zona të qarkut Lezhë, në kuadër të kapjes së personave të shpallur në kërkim.

Kontrollet janë shtrirë në Lezhë, Kurbin dhe Mirditë, ku janë ushtruar verifikime në banesa, biznese dhe automjete, pas informacioneve të siguruara nga policia se në këto zona mund të strehoheshin persona të kërkuar nga drejtësia.

Gazetari Juli Simoni, në një lidhje për ‘MCN Live’, bëri me dije se operacioni është fokusuar kryesisht te persona të shpallur në kërkim nga SPAK me vendim të GJKKO-së.

Kontrolle janë ushtruar në disa zona të qarkut, konkretisht në Lezhë, Kurbin dhe Mirditë. Sipas burimeve, kontrollet janë fokusuar te persona të shpallur në kërkim nga SPAK. Ende nuk ka informacione nëse ka persona të ndaluar nga ky operacion i gjerë i policisë dhe nga kontrollet e ushtruara.

Sipas informacioneve, gjatë 24 orëve të fundit policia ka kontrolluar disa biznese dhe banesa ku dyshohej se mund të strehoheshin persona në kërkim për periudha të ndryshme.

Prezencë e shtuar policore është vënë re edhe në nyjet hyrëse dhe dalëse të qytetit të Lezhës, si dhe në superstradë, ku janë ndaluar dhe kontrolluar automjete të ndryshme.

Deri më tani nuk ka një njoftim zyrtar nga Policia e Shtetit lidhur me rezultatet e operacionit apo persona të arrestuar, ndërsa pritet që autoritetet të dalin me një reagim në vijim.

Ky operacion vjen në një kohë kur në qarkun e Lezhës janë regjistruar disa ngjarje kriminale gjatë javëve të fundit. Më e rënda ishte vrasja e çiftit Kreshnik dhe Gentiana Mojeci në hyrje të fshatit Balldre, ngjarje për të cilën janë shpallur në kërkim katër persona.

spot_img

Latest articles

Related articles