Më 12 maj 2026 ndodhën dy ngjarje paralele. Në njërën, Edi Rama priste në Tiranë rreth 40 kompani izraelite të sigurise kibernetike dhe deklaronte: “For the Jewish people, Albania is your home.” Në tjetrën, Endri Meksi deklaronte publikisht: “Jam i bindur 1000% se Homeland Justice ka një emër në Shqipëri, Ermal Beqiri.”
Këtu fillon paradoksi. Nëse sulmet kanë qenë histori e brendshme shqiptare, ose të paktën pjesërisht të lidhura me aktorë shqiptarë, atëherë për çfarë na duhet gjithë ky afrimi strategjik me kompanitë izraelite të sigurisë kibernetike? Për çfarë duhet gjithë narrativa e “mbrojtjes nga Irani”?
Nëpër tavolinat e kafeneve shqiptare thuhet shpesh se për të kuptuar çfarë do të bëjë Rama, mjafton t’i vendosësh një “nuk” përpara deklaratës së tij publike. Kështu, “Shqipëria është shtëpia juaj” kthehet në “Shqipëria nuk është shtëpia juaj”.
Kjo nuk do të ishte hera e parë që deklaratat e Endri Meksit paraprijnë një zhvendosje narrative.
Më 4 maj 2026, Meksi foli për “çunat e Elbasanit” me lidhje në KPP, për njerëz që sipas tij kishin kontaktet e anëtarëve të Komisionit të Prokurimit Publik dhe ndikonin proceset e tenderave përmes AKSHI-së, KVO-së dhe KPP-së. Në të njëjtën kohë, ai e paraqiti Mirlinda Karçanaj jo si figurë qendrore kriminale, por si një drejtuese me eksperiencë që ishte mashtruar dhe përdorur nga Ergys Agasi.
Kjo ndryshon shumë gjëra. Sepse nëse “cunat e Elbasanit” me lidhje në KPP janë një grupim real që kontrollon lojën, atëherë zbutet edhe perceptimi publik për akuzat e bëra ndaj Jonaid Yzeiri. Këto akuza marrin trajtën e një lufte të brendshme, një baltosjeje të dirigjuar. Edhe pozicioni i Karçanajt zbutet: jo figurë qendrore, por e manipuluar.
Pastaj vjen 11 maji. Endri Meksi thirret në SPAK dhe qëndron aty për orë të tëra. Publiku nuk e di çfarë është thënë brenda. Por po atë ditë, çuditërisht, Rama del publikisht dhe kërkon reflektim e ndjesë për baltën ndaj Karçanajt dhe Yzeirit. Pra, Meksi flet, SPAK e thërret, dhe menjëherë pas kësaj Kryeministri del me një narrativë që praktikisht shkon në të njëjtin drejtim: Karçanaj dhe Yzeiri duhen parë ndryshe.
Një ditë më vonë, më 12 maj, sintonia shkon edhe më larg. Rama shtron tapetin e kuq për kompanitë izraelite. Nga ana tjetër Meksi hedh idenë se “Homeland Justice” mund të ketë pasur prapavijë shqiptare, duke i lënë hapur
Në një moment kur Rama sapo kishte vizituar Barcelonën, ku takoi Pedro Sánchez, një nga figurat më skeptike europiane ndaj linjës së Netanyahut, dhe nga Yerevani, ku ishte prezent Friedrich Merz. Kancelari është shumë më institucional dhe i kujdesshëm në raport me penetrimin strategjik të teknologjive sensitive në Europë.
Prandaj pyetja bëhet legjitime: a ishte 12 maji dita kur Rama ftoi kompanitë izraelite në Shqipëri, apo dita kur filloi t’i përzinte me lezet?
Sepse në Shqipëri investitorët nuk përzihen me ulërima. Përzihen me burokraci, pritje, ndryshim narrativesh dhe intriga korridoresh. Rama është mjaftueshëm i lexueshëm sepse e ndjekim prej 30 vitesh.



