Made in Albania në “vdekje klinike” | nga Rildo Ngjela

spot_img
Advertisements

Rildo Ngjela

Nëse Shqipëria po rritet ekonomikisht, atëherë pse po paguajmë çmime të larta? Nëse ekonomia po rritet, pse po vdes prodhimi vendas?
Ndërkohë, qeveria po feston “lekun e fortë”. Ministrat thonë që Shqipëria është bërë fuqi ekonomike në rajon, duke nxjerrë si provë kursin e këmbimit. Po! Euro ka rënë. Dollari, po ashtu. Në letër dukemi si një ekonomi me një zhvillim të jashtëzakonshëm. Nëse heqim sytë nga letra dhe shohim çfarë po ndodh në të vërtetë, “Made in Albania” po lufton me vdekjen.
Banka Botërore e paralajmëroi dy javë më parë se Shqipëria po rritet në drejtimin e gabuar. Ajo tha të mos zgjerohemi në turizëm dhe ndërtim, por sugjeroi të drejtohemi në prodhim, bujqësi, teknologji dhe eksport. Me pak fjalë, paraja po hyn në ekonomi, por pa prodhuar gjë. Ne po pasurohemi në statistika, por jo në substancë.
Një nga simptomat më të qarta për këtë anomali është “leku i fortë”. Miliona euro po derdhen nga turizmi, remitancat, investimet e huaja (kryesisht në ndërtim) dhe transaksioneve të pronave. Ky vërshim, që shtyn lekun lart, po krijon iluzionin e forcës. Këtë, qeveria e ka kthyer në histori suksesi politik. Por, në vetvete një monedhë e fortë nuk vërteton asgjë. Që vërtetë një monedhë të jetë e fortë, duhet që fermerët, fabrikat dhe eksportuesit të jenë të konkurrueshëm në tregjet europiane dhe jo t’i shohim në gjende mbijetese.
Sa herë që leku forcohet, eksportuesit shqiptarë marrin më pak lekë nga çdo euro që fitojnë në tregun ndërkombëtar. Sa herë që bie euro, produktet e importit fitojnë terren ndaj prodhimit shqiptar. Sa herë që qeveria duartroket kursin e këmbimit, pa mbrojtur prodhimin vendas, një sipërmarrje shqiptare shpall falimentin.
Sot, pjesa më e madhe e prodhimit vendas ngjan me një pacient nën kujdes intensiv. Fabrikat po operojnë me marzhe fitimi në rënie. Fermerët po luftojnë kundër produkteve të importit, sepse kosto u del më e lartë për shkak të kursit të këmbimit. Eksportuesit që kanë mbetur, po shtrëngojnë rripin. Sipërmarrjeve që punësojnë mijëra shqiptarë, u kërkohet të konkurrojnë në tregjet ndërkombëtare me një dorë të lidhur pas shpine. “Made in Albania” është ende gjallë, por pulsi i saj po dobësohet.
Pjesa më e dhimbshme është që familjet shqiptare nuk po marrin asnjë përfitim nga e gjithë kjo histori “suksesi”.
Logjikisht, një lek më i fortë duhet të kishte ulur çmimet e ushqimeve, ilaçeve dhe produkteve të tjera të importit. Në vend të kësaj, çmimet mbeten kokëfortësisht të larta. Konsumatorët vazhdojnë të paguajnë çmime të larta në supermarket. Prodhuesi shqiptar po humb tërësisht konkurrueshmërinë. Eksportuesit po fitojnë çdo ditë më pak. Në një sistem të shtrembëruar, si familja, ashtu edhe prodhuesi shqiptar ndodhen në vështirësi të mëdha. Nga ana tjetër shteti feston me një numër më shumë në tabelën e kursit të këmbimit.
Kjo nuk është normale. Ky nuk është sukses ekonomik. Është vetëmashtrim.
Si mundet një vend të ndërtojë të ardhmen e tij duke dobësuar pikërisht sektorët që krijojnë pasuri dhe qëndrueshmëri? Që kur një model i suksesshëm ekonomik e kthen prodhimin vendas në dëm kolateral?
Ndërtimi shton katet. Turizmi injekton valutën e huaj. Pasuritë e paluajtshme rrisin statistikat. Kjo, vetëm përkohësisht. Vetëm prodhimi, bujqësia, industria dhe eksportet krijojnë një ekonomi të fortë. Ndryshe, as që do të mbahet dot në këmbë.
Situata është emergjente dhe pacienti kërkon më tepër oksigjen. Që të reanimohet, duhet që qeveria dhe Banka e Shqipërisë të veprojnë sa më shpejt. Jo për shoë mediatik. Me vendosmëri.
Së pari, banka qëndrore duhet të intensifikojë me çdo kusht blerjen e valutës së huaj, për të moderuar vlerësimin e tepërt të lekut. Në raportet që publikon, ajo duhet të tregojë nëse forcimi i lekut po sjell ndonjë dobi për kosumatorin apo thjesht fitimet po zhvendosen në një pjesë të caktuar të ekonomisë. Gjithashtu, duhet të vlerësojë ndikimin e kursit të këmbimit tek bujqësia, prodhimi dhe eksportuesit.
Së dyti, qeveria duhet të ndërhyjë me një paketë ose nismë për të mbrojtur “Made in Albania”. Këtu duhet përfshirë mështetja fiskale për eksportuesit, fermerët dhe të gjithë prodhuesit. Duhet rimbursim i përshpejtuar i TVSH-së dhe financim preferencial për sektorët prodhues. Me pak fjalë, duhet një program strategjik për të forcuar produktet shqiptare në tregun vendas dhe atë ndërkombëtar. Nga ana tjetër duhet të ulet urgjentisht TVSH-ja për produktet e shportës dhe të shoqërohet me një kontroll të ashpër të tregut. Sepse, përveç importuesve që po abuzojnë sistematikisht me çmimet, nga kjo “monedhë e fortë” nuk po përfiton asnjë qytetar.
Së treti, Autoriteti i Konkurrencës duhet të zgjohet nga gjumi i thellë dhe të japë llogari pse nuk ka vepruar deri tani. Pse ky autoritet nuk po heton importuesit që abuzojnë? Pse ky autoritet nuk bën krahasime midis kostove të importit dhe çmimeve në supermarket?
Nëse leku është më i “fortë”, pse familjet shqiptare janë më të dobëta?
Derisa kjo pyetje të marrë përgjigje me çmime më të ulëta, eksporte më të forta dhe një ekonomi produktive, “leku i fortë” do të mbetët vetëm një statistikë dhe shumë e bukur për të qenë e vërtetë.
Sepse një vend nuk bëhet i fortë kur monedha rritet.
Një vend bëhet i fortë kur njerëzit e tij mund të përballojnë më lehtë jetën e përditshme. Kur prodhuesit mund të konkurrojnë në tregjet ndërkombëtare. Dhe kur fjalët “Made in Albania” të nënkuptojnë rritje së brendshmi dhe besim së jashtmi.

spot_img

Latest articles

Related articles