nga Shkëlqim Berisha
Në Washington nuk ndodh shpesh që një aleati të NATO-s t’i tërhiqet veshi publikisht. Por këtë herë mesazhi ishte i qartë dhe pothuajse i drejtpërdrejtë për Greqinë.
Kur në Komisionin e Punëve të Jashtme të Kongresit amerikan thuhet se Kosova është një partner i afërt i SHBA-së, të cilin kundërshtarët e Amerikës vazhdojnë të mos e njohin, dhe më pas në të njëjtën fjali përmenden Rusia, Kina, Serbia dhe vende të NATO-s që ende mbajnë të njëjtin pozicion, atëherë nuk kemi më të bëjmë me diplomaci të zakonshme.
Mesazhi ishte i qartë: nuk mund të kërkosh rol kyç në arkitekturën e sigurisë perëndimore, të paraqitesh si shtyllë e Mesdheut Lindor dhe njëkohësisht të vazhdosh të qëndrosh në mes të rrugës për Kosovën.
Sepse problemi nuk është më vetëm Ballkani. Problemi është përputhja strategjike me interesin amerikan.
Dhe kur Kongresi amerikan fillon ta trajtojë Kosovën si “linchpin for stability in the Western Balkans”, atëherë çdo vend që vazhdon të mos e njohë, automatikisht hyn në një zonë politike të sikletshme.
Sidomos kur në atë listë gjenden edhe Rusia dhe Kina.



