Para pak ditësh z. Agron Shehaj (“ Partia Mundësia”) shprehu shqetësimin e tij për çështjen e pragut prej 4% të parashikuar në qëndrimin e unifikuar të opozitës për kodin e ri zgjedhor. Edhe z. Qori (“Lëvizja Bashkë”) ka patur rezervat e tij. Nga deklarimet e tyre publike, këto dy parti nuk kanë shfaqur kundërshtime me thelbin e propozimit: proporcional kombëtar (Shqipëria një zonë zgjedhore), koalicione parazgjedhore dhe lista të hapura.
Pas konsultimit me shumicën e partive të tjera të tryezës dhe me dëshirën e mirë për të ndërtuar bashkëpunim gjithëpërfshirës të opozitës edhe për çështjen e pragut, Forumi i Dialogut Politik fton “Partinë Mundësia” dhe “Lëvizja Bashkë” të paraqesin propozimet e tyre konkrete për pragun zgjedhor.
Nëse partitë opzitare kanë objektiv të përbashkët largimin e qeverisë, bashkëpunimi është hap themelor në arritjen e këtij qëllimi të përbashkët.
Forumi konsideron se çështja e një kodi të ri zgjedhor që garanton fushë loje të barabartë për të gjithë nuk është vetëm çështje e partive, por e të gjithë qytetarëve shqiptarë.
Prandaj, ftojmë “Partinë Mundësia” dhe “Lëvizja Bashkë” të angazhohen në këtë çështje madhore për interesat e qytetarëve.



