Biznesmeni Bashkim Ulaj është paraqitur këtë të martë në ambientet e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të procesit gjyqësor që ai ka hapur ndaj deputetëve Agron Shehaj dhe Erald Kapri, të cilët i ka paditur për shpifje.
Padia e tij lidhet me një fushatë sulmesh të nxitur e koordinuar nga Shehaj dhe Kapri prej disa kohësh në lidhje me resortin turistik që kompania “Gener 2” po ndërton në zonën e Rrjollit, në Velipojë.
Burime pranë çështjes bëjnë me dije se biznemsmeni ka zgjedhur t’i drejtohet rrugës ligjore për t’iu përgjigjur akuzave, duke kërkuar që institucionet e drejtësisë të marrin masa për sulmet ndaj kompanisë të cilat janë konsideruar si gjobëvënie.
Sipas kompanisë “Gener 2”, në projektin në Rrjoll gjendet si palë e tretë duke nënvzizuar se gjithçka është ndërtuar mbi një bazë të plotë ligjore dhe disponon të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, përfshirë lejet dhe vendimet gjyqësore të formës së prerë.
Kompania ka deklaruar më herët se asnjë pretendim publik nuk ka cenuar deri më tani bazën juridike të investimit, ndërsa e konsideron projektin një nga investimet më të rëndësishme turistike për zhvillimin e veriut të vendit.
Krahas deputetëve Shehaj dhe Kapri, padi janë depozituar gjithashtu edhe ndaj avokatit Ndue Pjetra dhe Prek Molla të cilët gjithashtu akuzohen për shpifje.



