Pas sulmeve ndaj mediave dhe gazetarëve, kreu i PD Sali Berisha nuk ka kursyer as ambasadorin e BE në Tiranë, Silvio Gonzato.
Në Ditën e Europës, 9 Maj, Berisha tha se Gonzato sillet sikur është ambasador i kryeministrit Edi Rama.
Kreu i PD akuzoi Gonzaton se ka dërguar në Bruksel trillime, sipas tij, sikur opozita nuk mbështet integrimin e vendit në BE.
“Për sa i përket ambasadorit aktual, unë kam shprehur se ky sillet sikur të ishte ambasadori i Edi Ramës, pasi ky zotëri, në mënyrë të vërtetuar, ka transmetuar në Bruksel trillime më të pavërteta ndaj opozitës. Sikur opozita nuk është për integrimin. Për të mos treguar edhe shumë të tjera. Dhe se kur diskutohet pse nuk iu hoq imuniteti Lubi Ballukut, shkëlqesia e tij, Gonzato, thotë se ky është interpretimi shqiptar i imunitetit.
Në një kohë kur prej vitit 2009, 2010, 2011, sa herë ka kërkuar Prokurori i Përgjithshëm, janë hequr imunitetet pa asnjë koment, zv.kryeministrit, ministrave e me radhë.
Por ne jemi ata që i themi gjërat haptazi. Dhe është përpjekur në shumë mënyra ta paraqesë opozitën si jo të orientuar drejt integrimit, por ka dështuar. Eksponentë të rëndësishëm të BE-së ia kanë bërë të qartë se opozita dhe PD-ja janë thellësisht të pozicionuara për integrimin në BE dhe janë partnerët tanë, i është thënë shkëlqesisë së tij.
Ai ka bërë zgjedhjen e tij, është unifikuar me Edi Ramën dhe sa herë thoja unë ndonjë të vërtetë, bashkë me ndonjë lobist tjetër në KE, lëshojnë deklarata. Unë shqiptarëve dhe partnerëve evropianë do t’u them të vërtetën dhe vetëm të vërtetën”, tha Berisha.



