Nga Lorenc Vangjeli
Dikur, rreth 10 vjet më parë, Edi Rama dëshmonte për një zakon të tijin: “…marr një taksi pas mesnate dhe i them taksistit, “Fol tani!”. Sipas Ramës së dikurshëm, të vërtetat e treguara nga taksisti i rastit, ishin edhe më të besueshme se raportet nga Banka Botërore apo BE-ja. Ish-kryeministri norvegjez Jens Stoltenberg, dy vjet para Ramës, kishte shkuar më tej me fabulën e taksistit. Ai ishte maskuar si shofer taksie, me syze dhe kamera të fshehta në bord dhe kishte tentuar të maste pulsin e qytetarëve në raport me politikat e tij. Nuk dihet se çfarë i tregonin taksistët e pasmesnatës Ramës, por norvegjezët, kur kuptonin se në timon ishte kryeministri i tyre, nuk e kursenin pakënaqësinë për mënyrën sesi ai drejtonte makinën. Njeriu që më pas do të bëhej sekretar i përgjithshëm i NATO-s, tha atëherë batutën e famshme: “…norvegjezët do të jenë më mirë me mua si kryeministër sesa t’u shërbej si shofer taksie”. Rama mund të bëhet edhe sekretar i NATO-s, por shofer taksie në Tiranë nuk bëhet dot. Nuk ka patentë për drejtimin e makinës.
Nuk ka pikën e rëndësisë nëse është i vërtetë apo jo ky zakon i dikurshëm i Ramës, nëse ishte ide origjinale apo përshtatje e fushatës zgjedhore të ish-kryeministrit norvegjez, nëse udhëtonte në mesnatë me taksi të rastit apo përdorte një gënjeshtër të pafajshme dhe lozonjare si element për komunikimin publik. Në të dy rastet Rama e Stoltenberg – ish-kryeministri hollandez dikur e shef i NATO-s sot Mark Rutte ka bërë të njëjtën gjë – kanë pasur nevojë për dëshmi autentike të qytetarëve. Kanë kërkuar një barometër social që t’u rrëfejë ato lloj të vërtetash, që për shkak të rrethimit të zyrës së tyre nga një grusht njerëzish e interesash të ndryshueshme, kanë gjithmonë e më pak shanse të mbërrijnë në veshët e tyre pa u deformuar rrugës.
Rama është i fiksuar mbas sondazheve. Ai gjithashtu është në lëvizje dhe shpesh takon çdo lloj kategorie qytetarësh. Por a janë të mjaftueshëm këto dy instrumente për të kuptuar realisht pulsin e shoqërisë shqiptare? Për të kuptuar nevojat e saj, pritshmëritë e pakënaqësitë? Sondazhet kanë marzhin e tyre të gabimit. Me kohë, ato edhe mund të fitojnë tendencën për të thënë atë që pëlqen të dëgjojë vetë porositësi i tyre. Komunikimet publike të Ramës, gjithashtu janë shpesh si rrugë njëkalimshme, ku dëgjohet zëri i tij që mbyt edhe zërat që i zhurmojnë në vesh. Nga xhamat e errët të makinës, nga dritaret e zyrës, nga kohëzgjatja e pazakontë në jetëgjatësinë e pushtetit, nga shkëputja prej përditshmërisë së njeriut të thjeshtë, nga rrethimi i hekurt me një grusht gjithmonë e më të vogël njerëzish, nga pengmarrja e pandjeshme që e bën si asnjë ushtri në botë grushti i servilëve të pandashëm, nga përzgjedhja vetjake për të besuar gënjeshtrat e bukura përpara të vërtetave të hidhura, nga ballafaqimi i zgjedhur me kuotën intelektuale të ZeqiLandit, nga mospanimi i nevojës së dëshpëruar për të pasur njerëz kritikë pranë, pra, për gjithë këtë kompleks faktorësh, pa përjashtuar edhe distancën dhe lodhjen që vetë Rama ka krijuar me përditshmërinë tokësore në Shqipëri, kryeministri ka tashmë gjithë rrezikun e mundshëm që të jetojë në një realitet tjetër nga ai i shqiptarëve të zakonshëm. Të jetojë në një planet tjetër nga ta dhe të vërtitet në një orbitë vetmie, arratije dhe bindjeje se të tjerët nuk e kuptojnë dot më.
Asnjë sondazh, por edhe asnjë taksist i vetëm, doktor a psikolog, nuk mund të shpjegojë se pse ka kaq shumë pakënaqësi tek qytetarët shqiptarë. Sesa të stresuar janë ata. Sesi e nisin ditën duke mallkuar dhe nuk i zë gjumi pa mallkuar të gjithë e gjithçka. Edhe ata që llogarisin qindarkat, edhe ata që kanë fituar miliona. Nuk ka piktor që të shpjegojë se pse janë kaq të ngrysur në portret të gjithë. Duket sikur shumica e shqiptarëve, këmbësorë apo me makina, sapo janë kthyer nga një funeral dhe pjesa tjetër po nxiton të shkojë në një tjetër funeral. Sesi shumëkush në Tiranë e gjetkë ngjan si një armë e mbushur gati për t’u shkrepur. Nga nervat, nga padurimi, nga mbushja me helmin e ligësinë që të gjithë e prodhojnë kundër të gjithëve. Vështirë të shpjegohet thjesht se pse shqiptarët, edhe pse më të pasur se dikur, sot janë një popull tragjikisht i palumtur.
Mjaftojnë dy video disa sekondëshe që kanë bërë namin në hapësirën virtuale për të dëgjuar me urgjencë ulërimën që për momentin duket e heshtur, por që nesër mund të jetë e tmerrshme. Në të parën, dy të rinj masakrojnë me shkelma një burrë të pambrojtur dhe në të dytën, një e moshuar hidhet direkt në nofullat e procedurës penale. Në rastin e parë prokuroria nuk ka bërë asnjë veprim thelbësor për pesë muaj me radhë në një rast që duhet të kishte përfunduar direkt në gjykatë. Por kur hetimi bëhet tërkuzë, fajësia këputet pavarësisht trashësisë së zullumit. Në rastin e dytë, e moshuara do të duhet ta ketë pisk, sepse ligji në Shqipëri është ferr për njerëzit e dobët e të varfër si ajo. Këto janë nga ato episode që mund të shërbejnë si skaner i gjithë problemeve të shoqërisë, të qeverisjes dhe të vetë mentalitetit ‘bli ditë e rro’, që nuk vdes kurrë në Shqipëri. Probleme pronash të pazgjidhura, të mbartura, të çartura, të tjetërsuara e të grabitura, institucione që nuk funksionojnë, polici e drejtësi që ose marrin anën e të fortit, ose flenë e bëhen bashkaksionerë me të pasurit. Të varfër që kuptojnë se varfëria është krimi më i rëndë në Shqipëri, kurse të pasurit mund të blejnë dhe vetë të drejtën. Po Rama? Cfarë do të thoshte njeriu që mbi të gjitha duhet të ishte garanti i dy viktimave të shfaqura në video? Empatia dhe detyra do të duhej ta bënte aleat me ta dhe njësh me të dobëtit. Me fjalë padyshim do të thoshte pikërisht këtë gjë. Por modeli i tij ka ndryshuar në vite. Siç do të mund t’i dëshmonte ai vetë me sinqeritet taksistit të mesnatës: “Dëgjo tani! Problemi nuk është kaq i thjeshtë siç bërtasin 707 tenxheret e kërcasin 1001 penxheret. Ata dy qytetarët që protestojnë janë barrë për t’u mbajtur. Agresorët janë investitorë. Hapin vende pune. Ndërtojnë resorte. Resortet sjellin turistë. Turistët do të bëjnë foto. Fotot i hedhin në instagram. Dhe Instagrami cmendet nga diçiturat: “Çfarë mrekullie është Shqipëria!”. Po pastaj? Pastaj është muhabet tjetër të guxosh mos pranosh botën shumëngjyrëshe të instagramit. Pastaj Republika e ZeqiLandit, ende jashtë BE-së, por anëtare e kësaj familjeje gazmore, duhet të presë vetëm që shqiptarët t’i besojnë magjisë së ngjyrave. Pastaj ju duhet vetëm që të shkojnë në zgjedhjet periodike për të votuar “Jo më të mirët e mundshëm, por mungesën e një oferte më të mirë se kjo që është. Se më të mirë se kjo që kanë, nuk ka, pra!”.



