Nëna e 12-vjeçarit Ena Muçaj, i cili humbi jetën në aksidentin e rëndë të ndodhur një ditë më parë në Durrës, ka rrëfyer për herë të parë momentet e tmerrit pas ngjarjes tragjike.
Në një lidhje direkte për Euronews Albania, ajo ka përshkruar skena dramatike që ka përjetuar menjëherë pas aksidentit, duke treguar se e bija e familjes kishte parë gjithçka dhe ishte tronditur rëndë nga ajo që ndodhi.
Sipas saj, motra e vogël e 12-vjeçarit kishte vrapuar në vendngjarje, por nuk e kishte njohur të vëllain për shkak të gjendjes së rëndë në të cilën ndodhej.
“Goca e kishte parë ngjarjen, të gjithë ngjarjen. Ishte tmerruar, nuk e njohu vëllain, nuk e njohu kokën e vëllait…”, është shprehur ajo mes lotësh.
Nëna ka treguar se kur ka mbërritur në vendngjarje, është përballur me një skenë që, sipas saj, është e pamundur të harrohet.
“Kur shkova, çfarë të shihja… e kam marrë djalin në krahë, i kullonte gjaku si det… u mbush shtëpia me gjakun e djalit. Nuk e njoha nga koka, nga trupi… më ishte bërë djali copë-copë. E njoha vetëm nga kraharori…”, ka rrëfyer ajo.
E tronditur, ajo ka shtuar se djali i saj vuante nga probleme shëndetësore dhe ishte nën trajtim të vazhdueshëm, duke thënë se ai shpesh i premtonte se do të shërohej.
Ngjarja ka shkaktuar reagim të fortë dhe tronditje në opinionin publik.



