Deputeti socialist Erion Braçe foli në parlament për aksidentin e rëndë të dielën në Durrës, ku një i dehur me makinë i mori jetën dy fëmijëve në zonën e ish-Kënetës.
Braçe thekson se nuk ishte një aksident dhe një situatë normale, por një vrasje me dashje.
Braçe kërkon nga deputetët angazhim për ndryshime në Kodin Penal, që raste të tillë të cilësohen njëlloj si vrasja, pasi sipas tij kush futet në rrugë i dehur hyn për të vrarë.
“Dy familje përcollën sot shpirtin e tyre. 1/3 ishte në betejë për jetën dhe tani për rehabilitimin nga një traumë e rëndë. Pasojë e një krimi, të rëndë, në një rrugë lagjeje, vrasje me dashje dhe asnjëherë aksident apo shkelje e rregullave të qarkullimit.
Ngjarje e përsëritur në rrugë kombëtare por edhe rrugë lagjesh. Publikova një video të aksidentit ashtu siç ndodhi, për të refuzuar normalizimin e një krimi të tillë.
Kodi që kemi e normalizojnë një krim të tillë. Një i pirë jo thjesht i dehur, që nget me makinë dërgohet në paraburgim. Në çdo rast është liruar pas dy ditësh, procedimi vazhdon në liri.
Në rast se ke para paguan në çast dyfishin e gjobës dhe nuk ndodh asgjë.
Ai po hetohet për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, largim nga vendi i aksidentit. Ky është normalizim i aksidentit.
Ndërkohë banorët që kanë profilin e një të forti që sundon lagjen. Kjo nuk është shkelje e qarkullimit rrugor, është vrasje.
Gjëja e parë që duhet të bëjmë ndryshimet e reja në Kodin Penale të riformulojnë si vrasje me dashje. Një i dehur që nget makinën hynë në rrugë për të vrarë e për të vrarë me dashje”, tha ai



