Prof. dr. Arta Dodaj nga Departamenti i Psikologjisë i Universitetit të Zarës në Kroaci është fituese e Çmimit Vjetor për Shkencë në fushën e shkencave shoqërore nga Ministria e Shkencës, Arsimit dhe Rinisë e Republikës së Kroacisë për vitin 2024. Kjo është bërë e ditur nga autoritetet kroate më datën 20 prill 2026.
Gazeta “Sllobodan Dallmacija” shkruan se gjatë vitit referues (2024), prof. asoc. dr. Arta Dodaj ka arritur rezultate të rëndësishme në punën shkencore, ndër të cilat veçohet botimi i plot 11 punimeve shkencore të indeksuara në bazat Web of Science dhe Scopus, të klasifikuara me vlerësimet më të larta. Arta Dodaj konsiderohet si shkencëtarja kyçe nga Kroacia në fushën e kërkimeve mbi ngacimimin dhe maltretimin e grave me mesazhe me përmbajtje ofenduese dhe seksuale nga burrat. Në shkencë ky lloj ngacmimi njihet si seksting (sexting). Sipas gazetës kroate, Arta Dodaj është njohur si një nga 20 shkencëtaret më produktive në këtë fushë. Punimet e saj, shkruan “Sllobodan Dallmacija”, janë të orientuara drejt hulumtimit të natyrës, përcaktuesve dhe pasojave të sekstingut mes të rinjve, si në kontekstin e sjelljes seksuale normative, ashtu edhe në kontekstin e dukurive të rrezikshme.
Kërkimet e deritanishme në Kroaci janë karakterizuar nga mangësi të ndryshme, të cilat dr. Dodaj i ka tejkaluar nëpërmjet aplikimit të modeleve të ndryshme konceptuale dhe teorike, deri më tani jo mjaftueshëm të ekzaminuara. Ndër të tjera, janë mbledhur të dhëna nga më shumë se tetë mijë adoleshentë dhe të rinj nga Kroacia dhe Bosnjë-Hercegovina, të cilat mundësojnë një kuptim më të mirë të trendeve afatgjata të sekstingut, analizën e aspekteve të ndryshme të sjelljes, përvojave dhe ndikimit të sekstingut te adoleshentët dhe të rinjtë, duke ofruar njëkohësisht pasqyra përfaqësuese të rëndësishme për validimin e rezultateve kërkimore.
Foto: Slobodna Dalmacija



