Tirana, si qytet, nga ana fetare ndjen dhe përjeton dy momente të rëndësishme: muajin e shenjtë të Ramazanit dhe Pashkët Ortodokse. Kjo vjen nga thellësia e kohës, tradita dhe lëvizjet demografike.
Territori i Tiranës dhe i Shqipërisë së Mesme dikur ishte thellësisht ortodoks. Kujtojmë se qendrat e ortodoksisë në Mesjetë ishin Kruja dhe Durrësi. Këtë e dëshmojnë edhe toponimet në rrethina dhe në zonat rurale, si Shëngjergji (ku thuhet se është zona e fundit e konvertuar në Islam në fund të shekullit XVIII), Shinkolli, Shëngjini, Vakumona (Vau i Këmbanës), Shupali (Shën Pal), Kodra e Popit në Brar, si dhe rrënojat e kishave, ku edhe sot banorët i referohen shpesh si “te kisha”.
Trashëgimia ortodokse pothuajse u zhduk gjatë pushtimit osman, kur ndodhën konvertime të thella. Sot nuk gjen më tiranas ortodoksë me vazhdimësi mesjetare. Konvertimi në Islam, përveç aspektit shpirtëror, ishte edhe një fenomen urban dhe social, si formë integrimi në kushtet socio-ekonomike të kohës, pasi ishte feja zyrtare e Perandorisë.
Themelimi i Tiranës, siç e njohim sot, nga Sulejman Pashë Bargjini në vitin 1614, u bë mbi bazat e një qyteti mysliman, ku fillimisht u ndërtuan xhamia, hamami dhe furra e bukës.
Elementi ortodoks në qytetin e Tiranës pati një ripërtëritje gjatë shekullit XVII, me ardhjen e vllehëve nga zonat juglindore të Shqipërisë, të cilët sot konsiderohen banorë plotësisht autoktonë të qytetit. Të dy këta elementë fetarë kanë kontribuar në jetën fetare, politike dhe intelektuale të Tiranës. Ka pasur edhe ardhje të banorëve të besimit katolik, por në numër më të vogël dhe jo aq përcaktues.
Zemrat pulsuese të Tiranës shihen kur mbushet sheshi për faljen e Bajramit dhe kur bllokohen rrugët gjatë Pashkës Ortodokse. Në shumë raste, sidomos në këtë të fundit, vërehen edhe besimtarë apo njerëz me trashëgimi myslimane që marrin pjesë në kishë natën e Pashkëve.
Përtej traditave familjare, duket sikur ekziston një tërheqje dhe vetëdije e thellë historike që i shtyn njerëzit natyrshëm drejt kishës atë natë.
Islami dhe Ortodoksia janë pjesë e energjisë dhe aureolës së këtij qyteti, ku në këto ditë Tirana merr një magji krejt tjetër.



