Debate të forta janë zhvilluar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN mes gazetarit Lavdrim Lita dhe anëtarit të Këshillit Bashkiak të Tiranës nga radhët e PS-së, Aldo Merkoçi, lidhur me reformën territoriale dhe investimet në infrastrukturë.
Gjatë diskutimit, Lita kritikoi ashpër reformën territoriale, duke pretenduar se një pjesë e bashkive kanë dështuar financiarisht. “Aq e mirë është kjo reformë territoriale sa 12 bashki kanë dështuar nga pikëpamja financiare. Janë në faliment”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër, Merkoçi e kundërshtoi këtë deklaratë, duke e cilësuar si të pavërtetë. Debati u përqendrua më tej te infrastruktura rrugore në zonat rurale të Tiranës. Lita argumentoi se edhe para reformës ekzistonin rrugë dhe qytetarët nuk lëviznin në kushte primitive. “Ka pasur rrugë. Njerëzit nuk kanë ardhur në këmbë apo me gomar në Tiranë, kanë ardhur me makina”, tha ai. Por Merkoçi solli si shembull zonën e Kërrabës, duke deklaruar se mungesa e infrastrukturës ka qenë evidente. “Në Kërrabë nuk kishte rrugë”, u shpreh ai.
Në replikë, Lita pretendoi se kishte kontribuar vetë në ndërtimin e rrugëve në atë zonë. “Unë në Kërrabë kam bërë beton dhe e di shumë mirë”, tha ai, ndërsa Merkoçi reagoi duke u shprehur: “Çfarë betoni bëje në Kërrabë zotrote?!”.
Në vijim të debatit, Merkoçi theksoi se bashkimi i komunave me Bashkinë e Tiranës ka qenë i domosdoshëm për mbijetesën financiare të tyre. “Të gjitha komunat rreth e qark Tiranës, nëse nuk do të ishin bashkuar me Tiranën, do të ishin në gropë financiare”, deklaroi ai.



