Para CASH dhe investime në 40 pasuri, Gjykata rrëzon Turgut Ozal, sekuestro mbetet në fuqi

spot_img
Advertisements

Gjykata e Lartë ka vendosur të rrëzojë rekursin e shoqërisë Turgut Ozal, e cila edhe në shkallën e parë dhe atë të apelit kërkoi pushimin e çështjes dhe heqjen e sekuestros së vendosur nga Prokuroria e Tiranës. Ky vendim është marrë nga trupa gjykuese Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sander Simoni.

Ky rekurs nuk është pranuar, ndërsa ka mbetur në fuqi vendimi i Prokurorisë, e cila “ka vendosur sekuestron mbi regjistrat e amzës së shkollës/gjeneruese të aktivitetit të mësimdhënies për periudhën 2001–2015, si dhe mbi kontratat e lidhura midis këtij subjekti dhe ‘përfituesve’ të shërbimeve të dhëna në kuadrin e implementimit të këtij aktiviteti (mësimdhënës) për të njëjtën periudhë 2001–2015”.

Po për çfarë bën fjalë hetimi ndaj Turgut Ozal? Sipas vendimit të siguruar nga weblajm.com thuhet se: “Shoqëria ‘Turgut Ozal Education’ SHA, në ushtrimin e veprimtarisë së saj të licencuar si institut mësimdhënës – për sa i përket pasqyrimit/dokumentimit të situatës financiare mbështetëse dhe justifikuese të kësaj veprimtarie – konstatohet një përdorim i pajustifikuar i vlerave monetare/likuiditeteve ‘cash’; konkretisht dorëzim dhe tërheqje cash në arkë dhe bankë si rrjedhojë e aktivitetit, fakt ky që tregon se tarifat e shkollimit paguhen në cash (nëpërmjet arkës) dhe jo në bankë. Për pasojë, nga ana e shoqërisë mund të jenë administruar dhe ruajtur shuma të konsiderueshme jashtë sistemit bankar dhe financiar. Investimet e shoqërisë në pasuritë e paluajtshme (mbi 40 pasuri) nuk justifikohen dhe nuk janë në funksion të aktivitetit kryesor të shoqërisë (si tokë, truall, arë, objekte për të cilat kërkohet investim profesional juridik), dhe për pasojë lindin dyshime se nga ana e shoqërisë mund të bëhet pastrimi/riciklimi (në këtë mënyrë) i produkteve që rrjedhin nga aktiviteti dhe veprimtaria kriminale. Përdorimi i kredive që nuk justifikojnë shpenzimet e kryera në mënyrë të vazhdueshme prodhon dyshimin për evazion fiskal të mundshëm, i cili mund të jetë kryer në mënyrë të vazhdueshme për një kohë relativisht të gjatë nga kjo shoqëri.

Të gjitha rrethanat e mësipërme (gjithnjë sipas njoftimit/referimit të policisë gjyqësore) shtojnë dyshimin se të ardhurat e përfituara janë shumëfish më të larta se ato që janë deklaruar në sistemin tatimor; të ardhurat e fituara nuk deklarohen në sistemin tatimor për t’iu nënshtruar tatimit mbi të ardhurat, por ato futen dhe tërhiqen në cash në sistemin bankar dhe mbahen fizikisht jashtë sistemit bankar në arkat që kjo shoqëri ka në ambientet ku zhvillon aktivitetin apo në qendrën e saj kryesore.

  1. Përfundimisht, Kolegji mbi bazën e arsyetimit të sipërcituar, konsideron rekursin e paraqitur nga subjekti “Turgut Ozal Education” SHA – shkaqet/motivet mbështetëse të tij, në kushtet e papranueshmërisë. PËR KËTO ARSYE Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenet 433 dhe 441, pika “1”, shkronja “a” të Kodit të Procedurës Penale,

V E N D O S I:

Mospranimin e rekursit të paraqitur nga Shoqëria “Turgut Ozal Education” SHA, kundër vendimit nr. 610, datë 21.07.2021, të Gjykatës së Apelit Tiranë

nga Arsen Rusta

spot_img

Latest articles

Related articles