PD nga një parti fituese, në një parti paranojake! Gjen armiq kudo

spot_img
Advertisements

nga Sebastian Zonja

Partitë e reja, sipas një rregulli të pashkruar, gjithnjë blindojnë radhët e tyre nëpër organet vendimmarrëse si pasojë e frikës nga kundërshtarët. E vëmë re një fenomen të tillë kur lëvizjet apo organizatat vendosin të kthehen në parti politike. Arsyeja është frika se kundërshtarët mund t’i kooptojnë nëpër organet vendimmarrëse persona që më pas marrin frerët dhe kontrollin e partisë.
Për shembull, nëse marrim rastin e një partie të re, ajo mbledh radhët e kryesisë dhe të organeve të tjera vendimmarrëse derisa piqet, për arsye se mendon se PD-ja apo PS-ja mund të kooptojë drejt saj njerëz të cilët pas pesë vitesh shkojnë në pozicionet më të larta dhe e gërryejnë nga brenda si mola. Ky mentalitet i partive të reja është mëse i legjitimuar.
Fatkeqësisht, për shkak të luftës së brendshme dhe paranojave të Sali Berishës, këtë tipar e ka marrë edhe Partia Demokratike. Përgjatë viteve të fundit kemi dëgjuar këto akuza: Lulzim Basha është njeri i Edi Ramës; Agron Shehaj është njeri i Edi Ramës; Ervin Salianji është njeri i Edi Ramës; Enkelejd Alibeaj është njeri i Edi Ramës; demokratët e përjashtuar janë njerëz të Edi Ramës. Gjithë këto akuza vijnë në një hark të shkurtër kohor.
Duke parë luftën e brendshme dhe zgjatjen e saj, kuptojmë se paranoja e Berishës bashkëngjitet me narrativën që shtyn PS-ja nëpër medie – flasim përditë për hallet e opozitës, jo të qeverisë. Sa më shumë flitet për hallet e tyre, aq më shumë krijohet ideja se vendi s’ka opozitë, ndaj Rama qëndron në pushtet.
Në krahun tjetër, paranoja e Berishës e ka katandisur PD-në nga një parti me mentalitet fitues, në një parti paranojake, me mentalitet humbës, me luftë shkatërruese dhe përçarëse së brendshmi që zor se do marrë fund shpejt. Muaj pas muaji, me këtë mentalitet, PD-ja do vijojë të mbajë peshën e opozitarizmit, por do zvogëlohet përdita, si një makinë e vjetër që nisesh të shkosh në Romë dhe prishet në hyrje të Durrësit, me shofer të dehur dhe qorr, ndërsa pasagjerët bërtasin – mjafton mos të na hedhësh në kanal, ndaj jepi shpejt se na iku trageti!

spot_img

Latest articles

Related articles