nga Sebastian Zonja
Sipërmarrësi amerikan Piter Thil (Peter Thiel) ishte në Romë të Italisë këto ditë për një cikël leksionesh mbi mbërritjen e “Antikrishtit” në Tokë. Pak a shumë, nga ç’u zbardh prej medieve italiane, ai tha:
“Apokalipsi do të shoqërohet nga një Antikrisht për të cilin jemi të papërgatitur. Ai do ngjallë frikë me kërcënimet ekzistenciale si ndryshimi i klimës, inteligjenca artificiale dhe lufta bërthamore duke grumbulluar fuqi të pamatshme. Kjo figurë do t’i bindë njerëzit të bëjnë gjithçka që është e mundur për të shmangur konfliktin global. Kjo përfshin pranimin e një urdhri që imponon kufizim të plotë të progresit teknologjik.”
Teologët e krishterë e hedhin poshtë interpretimin e tij për ardhjen e Antikrishtit. Thil, nga sa mund të gjejmë nëpër tekste eskatologjike (fundi i Kohës) mbështetet, pak a shumë, tek Vladimir Solovievi, filozof ortodoks rus i cili në vitin 1900 shkruan për Antikrishtin: “Ai që do vijë nuk është përbindësh, por një supermen humanitar. Është një figurë që do ofrojë paqe universale, bashkim botëror dhe fundin e luftërave. Të gjitha këto në këmbim të nënshtrimit të plotë ndaj tij”.
Më herët, teksa këto tema dukeshin të largëta nga debati i përditshëm, aspekti religjoz, përditë e më shumë, po zë faqet e para të politikës botërore. Më datën 5 mars, presidenti Donald Tramp (Donald Trump) u rrethua në Zyrën Ovale nga rreth njëzet pastorë ungjillorë dhe udhëheqës fetarë, të cilët me duart e mbështetura mbi supet dhe krahët e tij, sytë e mbyllur, u lutën për lidershipin e tij dhe të ardhmen e vendit.
Më herët, më 2 mars, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu evokoi luftë fetare ndaj Iranit, njëjtë si ndaj Gazës. “Ne lexojmë në kapitullin e Torahut të kësaj jave: “Kujto çfarë të bëri Amaleku. Ne kujtojmë dhe veprojmë.”, tha Netanjahu ndërsa vizitonte një vend ku kishin rënë dy raketa iraniane.
Më 25 mars, sekretari i Luftës në SHBA Pit Hegseth (Pete Hegseth) organizoi shërbesën e parë që nga fillimi i luftës me Iranin. Ai u kërkoi pjesëmarrësve në sallë të vendoseshin mendërisht pranë trupave që luftonin në Iran pikërisht në atë moment.
Ndërkaq, njohës të eskatologjisë islamike argumentojnë se në Iran ka linja të konsoliduara dhe që propagandojnë ardhjen e imam Mehdiut. Përballja me Amerikën dhe Izraelin po paraqitet jo vetëm si e justifikuar politikisht, por edhe si eskatologjikisht e nevojshme.
Nëse do heqim një paralele me pushtimin e Ukrainës dhe propagandën e madhe që filloi nëpër mediet sociale për Rusinë si mbrojtëse e qytetërimit, argumente që vinin më së shumti nga propagandisti Aleksandër Dugin, do gjejmë edhe aty hyjnizimin e luftës. “Kateçoni” është koncepti që solli Patriarku Ortodoks Kirill. Ai e cilësoi dhe bekoi luftën e Rusisë në Ukrainë si “luftë të shenjtë” dhe deklaroi se misioni suprem i Rusisë është “Frenuesja universale, e cila mbron botën nga e keqja”.
Por pavarësisht këtyre evokimeve të koncepteve fetare për luftën nga politikanë apo sipërmarrës, kreu i katolikëve Leoni i 14-të përsërit çdo herë që mban meshë. “Krishti, Mbreti i Paqes, na bën thirrje nga kryqi: Zoti është dashuri! Kini mëshirë! Ulni armët! Mos harroni se jeni vëllezër e motra!”
Po ashtu, edhe shumë myslimanë të qartë dhe të kthjelltë për mbërritjen e Dexhalit na bëjnë thirrje për përmbajtje dhe të pyesim ata që kanë studiuar për këto punë, jo ata që duan t’i përdorin këto tema kaq të ndjeshme për politikë ditore.



