nga Lirim Nezha
Atë mbrëmje të 28 marsit të 29 viteve më parë ,mbrëmje kur shumë shpirtra vlonjatësh dhe jo vetëm vlonjatësh i përpiu deti,ne të gjithë u bëmë sy e veshë për të ndjekur lajmet që më së shumti vinin nga mediat e huaja.
Unë po shihja RAI3 dhe u bëra dëshmitar i një tronditjeje të madhe jo vetëm të publikut,por edhe të vetë trasmetuesve të lajmit.
Ishte kjo ndjeshmëri që më bëri të mos ja harroj emrin Bjankës së RAI-t në sytë e të cilës,ndërsa raportonte lajmin e kobshëm,pashë lotë. Nuk e mposhti dot dhimbjen për këtë gjëmë të shkaktuar qëllimshëm prej bashkëatdhetarëve të saj edhe pse detyra ja kërkonte.
Sepse mbytja e katrit të radës me më shumë se 130 persona në bord ,shumica e të cilëve gra e fëmijë,81 prej të cilëve humbën jetën,nuk ishte një aksident,ishte një akt i qëllimshëm për t’i vënë fre ikjes masive të shqiptarëve me mënyrën më makabre të mundshme.
Ata ishin viktima të politikës së të dy brigjeve përballë njëri tjetrit,ishte ngjarja që do të ngelet përjetësisht në kujtesën e shqiptarëve,sepse këto lloj tragjedish nuk fshihen lehtë.
Lotët e nënave nuk kanë shterur kurrë,sepse kurrë nuk pati fajtorë për tragjedinë,pati vetëm lule në det për çdo përvjetor,lule dhe lotë hipokrizie nga politika vrasëse.
E pra,ishin më të sinqertë lotët e Bianka Berlinguer se sa lotët e krokodilit të politikanëve që nuk harrojnë gjithsesi të përfitojnë sa të munden edhe përmes dhimbjes,siç ndodh në çdo përvjetor tragjedish të mëdha në këtë vend të vogël tragjedish.
Redaksia: Parlamenti me mazhorancë socialiste refuzoi të mbante një 1 minut heshtje për ngjarjen.



