Vetëm 20 minuta udhetim përmes Rrugës së Kombit mjaftojnë që banorët e Kukësit të kalojnë drejt Prizrenit për karburant më të lirë. Ndërsa në Shqipëri çmimi tavan i naftës është 203 lekë për litër, në Kosovë ajo tregtohet 1.73 deri në 1,75 euro për liter, dukshëm më e lirë se në vendin tonë. Në pikat e karburantit në Prizren, prania e qytetarëve nga Kukësi është e përditshme.
Qytetarët nga Kukësi thonë se distanca nuk është problem pasi sërish dalin me leverdi kur furnizohen në Prizren. Megjithatë, kontrollet në kufi mbeten të rrepta. Karburanti në bidona konfiskohet nga doganieret, ndaj qytetaret vetem mbushin serbatoret e makinave.
“Kur mbushim serbatorin me 70 litra naftë arrijmë të kursejmë rreth 3,500 lekë”, thanë ata.
Për shumë familje kuksiane, kjo është kthyer në një zgjidhje për të përballuar koston e jetesës, pasi përpos naftës blejne dhe ushqime e produkte industriale.



