Komunikimet në Google zbulojnë grupin e killërve të shërbimit sekret rus; si u dekriptuan bisedat nga policia

spot_img
Advertisements

Shtetet e Bashkuara kanë zbuluar një komplot për vrasjen e disidentëve rusë në Evropë. Sipas dokumenteve gjyqësore amerikane, hetuesit arritën të zbulojnë planin falë pakujdesisë së personave të përfshirë: vrasësi me pagesë komunikonte me oficerin e tij drejtues në një mënyrë që u mundësoi autoriteteve amerikane të lexonin mesazhet.Kur policia kombëtare e Kolumbisë njoftoi më 25 shkurt arrestimin e një shtetasi rus në lidhje me dyshime për akte terroriste, ngjarja nuk tërhoqi vëmendje të madhe ndërkombëtare. Fotografitë tregonin një burrë trupmadh me xhaketë blu të çelët dhe me shenja të para tullacie, i rrethuar nga policë kolumbianë. Megjithatë, dokumentet gjyqësore të publikuara më pas në Shtetet e Bashkuara tregojnë se autoritetet kishin realizuar një arrestim të rëndësishëm. Investigimet e revistës ruse “The Insider” sugjerojnë madje se është zbuluar një njësi e tërë e shërbimit sekret rus, për shkak të pakujdesisë së pjesëtarëve të saj.Në sfond qëndron ndjekja shumëvjeçare që Rusia u bën disidentëve nga republika autonome e Çeçenisë në Kaukazin Verior. Që nga shtypja e lëvizjes për pavarësi atje, agjentët rusë dhe çeçenë ndjekin separatistët e arratisur edhe në mërgim. Herë pas here ndodhin atentate vrasjeje. Në Evropën Perëndimore, një nga rastet më të njohura ishte vrasja me armë zjarri e Selimkhan Khangoshvilit në parkun “Kleiner Tiergarten” në Berlin në vitin 2019. Burgosja e autorit, Vadim Krasikov, një vrasës i shërbimit sekret rus FSB, përkeqësoi për një kohë të gjatë marrëdhëniet mes Moskës dhe Berlinit, deri sa Kremlini e liroi agjentin në gusht 2024 nëpërmjet një shkëmbimi të të burgosurve.

Sipas hetimeve amerikane, ndërkohë që kjo çështje ishte ende në zhvillim, Moska po përgatiste plane për atentate të reja në Evropë. Në vitin 2024, shërbimi sekret rus rekrutoi një vrasës me pagesë që fliste serbisht, Darko Durovic, për të eliminuar dy disidentë nga një republikë ruse. Sipas përshkrimit, bëhet pothuajse me siguri fjalë për Çeçeninë. Në shënjestër mund të kenë qenë familjarë të liderit separatist Akhmed Zakayev, i cili besohet se ndodhet në Britaninë e Madhe.

Komunikimet në Google zbulojnë grupin e vrasësve të

Durovic u takua dy herë në Moskë me oficerin e tij drejtues rus, Denis Alimov, 42 vjeç, i njëjti person që tani ndodhet në Kolumbi dhe pret ekstradimin në Shtetet e Bashkuara. Dokumentet e akuzës së prokurorisë federale amerikane përshkruajnë me hollësi mënyrën se si vepruan komplotistët.

Në tetor 2024, të dy u takuan në një restorant në Moskë pranë selisë së FSB-së. Gjatë takimit, Alimov i dorëzoi vrasësit 60 000 dollarë dhe i premtoi 1.5 milion dollarë për çdo atentat të suksesshëm. Në aktakuzën e publikuar së fundmi kundër Durovicit gjendet madje edhe një fotografi e tufave të dollarëve, pasi vetë autori kishte bërë foto të parave dhe i kishte dokumentuar ato përmes emailit.

Pas udhëtimit në Mal të Zi, Durovic filloi të kërkonte një armë për atentatin, duke bërë kërkime në internet si “Glock 21 Podgorica”. Ai udhëtoi në të paktën dy vende të Evropës Perëndimore, por nuk arriti t’i gjente dy çeçenët në mërgim. Alimov i dërgonte këshilla, për shembull që t’i kërkonte në xhamitë lokale.

Në një rast tjetër, Durovic raportoi se një nga liderët çeçenë jetonte në një vilë të bardhë pranë detit, e ruajtur mirë nga njerëz nga vendlindja e tij. Adresa ende nuk ishte e qartë. “Besoj se do ta gjej së shpejti”, shkroi ai. Sipas tij, në një moment “objektivi X” do të binte në kurth.

Megjithatë, para se të realizohej plani, Durovic u arrestua në mars 2025 në Shtetet e Bashkuara. Kjo ngriti pyetjen se si hetuesit kishin marrë informacion kaq të detajuar për komplotin e vrasjes. Aktakuza jep përgjigjen.

Gjatë marrjes në pyetje në SHBA, me gjasë gjatë hyrjes ose daljes nga vendi, Durovic kishte fshehur vizitat e tij në Rusi. Ai nuk e kishte kuptuar se FBI kishte akses në të dhënat e fluturimeve dhe e dinte që ai kishte udhëtuar drejt Moskës.

Këto deklarata të rreme bënë që FBI të fillonte ta hetonte më nga afër. Kur ekziston dyshim i arsyeshëm, hetuesit mund të analizojnë edhe gjurmët në internet dhe të kenë akses në databazat e kompanive teknologjike amerikane. Hetimin e ndihmoi fakti që Durovic jo vetëm kërkonte në Google armë dhe emra çeçenësh, por përdorte internetin edhe për të kapërcyer pengesën gjuhësore: ai fliste vetëm serbisht, ndërsa urdhërdhënësi i tij në Moskë vetëm rusisht. Për këtë arsye, ai përkthente mesazhet për Alimovin në rusisht përmes një programi amerikan përkthimi si Google Translate, ndërsa përgjigjet i përkthente në serbisht.

Komunikimet në Google zbulojnë grupin e vrasësve të

Fakti që të dy komunikonin përmes një platforme të koduar nuk i shpëtoi nga zbulimi. Autoritetet amerikane mund të lexonin mesazhet përmes programit të përkthimit që përdorte Durovic. Aktakuza citon gjerësisht nga këmbimi i mesazheve. Aty zbulohet edhe fjala kod që përdornin për “vrasje”: ata përdornin shprehjen “ta deportosh ligjërisht” si eufemizëm për atentatin.

Edhe oficeri i FSB-së, Denis Alimov, bëri gabime serioze. Pas zbulimit të Durovicit, ai vendosi megjithatë të udhëtonte jashtë vendit. Kur në shkurt hipi në avion drejt Bogotas, besohet se mendoi se do të kalonte pa probleme me një pasaportë të rreme. Por edhe pseudonimi i tij, Klimenkov, ishte i njohur për autoritetet amerikane, të cilat mundën të lëshonin përmes Interpolit një kërkesë të detajuar për arrestim. Këtë e raportoi gazeta kolumbiane “El Tiempo”, duke cituar policinë e Kolumbisë.

Komunikimet në Google zbulojnë grupin e vrasësve të

Arrestimi i Alimovit shkaktoi një reagim zinxhir. Revista “The Insider” raportoi të premten, duke cituar burimet e saj, se agjenti i rangut të lartë ishte pjesë e një njësie të re të shërbimit sekret të quajtur “Qendra 795”, e krijuar vetëm tre vjet më parë. Sipas raportit, kjo njësi elitare i raporton drejtpërdrejt shefit të shtabit të përgjithshëm dhe ndodhet për qëllime kamuflazhi në një kompleks të koncernit Kalashnikov jashtë Moskës.

“The Insider” i referohet një organigrame dhe listave të personelit që i janë dorëzuar redaksisë. Pas zbulimit disa vite më parë të një skuadre vrasëse të shërbimit sekret ushtarak rus GRU, ky zbulim i ri përbën një tjetër goditje për rrjetin e agjentëve të Kremlinit

spot_img

Latest articles

Related articles