nga Mero Baze
Historia e Gërdecit mund të mbetej një “aksident teknologjik” sikur të mos zbulonte një histori të rëndë korrupsioni të kapjes së shtetit prej familjes Berisha. Për 18 vite rresht drejtësia shqiptare, e vjetra dhe e reja, vërtiten rreth kësaj historie pa e prekur thelbin e saj. Gjyqi i mbyllur tanimë nga drejtësia e vjetër ka dënuar disa biznesmenë dhe zyrtarë për pakujdesi në punë. Ish-ministrit Fatmir Mediu ia kanë rihapur çështjen me vendim të Strasburgut dhe një sërë procedurash gjyqësore dhe po ashtu po e trajtojnë jo si histori korrupsioni dhe kapje shteti nga familja Berisha përmes tij, por si shpërdorim detyre.
Personazhi kryesor i kësaj historie nuk është as Fatmir Mediu, as Delijorgji, por Shkëlzen Berisha. Ai është ideatori i projektit, realizuesi i tij dhe siguruesi i mbështetjes politike dhe shtetërore për t’u zbatuar në kundërshtim me rregullat. Rrugës ai grabiti edhe një biznes të dytë po në Gërdec që u denoncua me emër nga një artikull i New York Times me 9 autorë, që kishte të bënte me ripaketimin e fishekëve kinezë për kallashnikov që u duheshin ushtarëve amerikanë në Afganistan, duke nxjerrë nga loja dhe pastaj nga jeta Kosta Trebickën.
Pas 18 vitesh ne kemi 26 të vdekur në Gërdec, një të vdekur në malet e Gramshit dhe ideatorin e këtij projekti një milioner me lekë të padeklaruara që financon një media dhe një parti politike në kushte tërësisht ilegale.
Aktualisht njeriu kyç i Gërdecit financon televizionin e familjes Berisha, i cili nëse do t’i llogarisësh pagat e padeklaruara të stafit ka një buxhet rreth 300 mijë euro në muaj dhe prej vitit 2021 deri më 2025, në betejë me Lulzim Bashën, ka financuar Partinë Demokratike të Berishës me një kosto marramendëse për të përballuar betejën e tij me një parti informale.
Tani pyetja është fare e thjeshtë. Prokurori Olsi Dado kërkon të hetojë dhe akuzojë për pastrim parash vëllain e Erion Veliajt, i cili ka një kompani legale marketingu që shpërndan reklamat e kompanisë ONE dhe disa kompanive të tjera. Është thjesht ndërmjetësi që merr lekët e tyre dhe i shpërndan në media. Terrori psikologjik dhe presioni që prokurori i SPAK ushtron mbi kompaninë hungareze ONE që t’i detyrojë ata të shkëputin marrëdhëniet me kompaninë e Arbër Veliajt, i ndihmuar edhe nga fushata mediatike që përdor në betejën e tij të pistë, bëhet vetëm pse Arbër Veliaj është burimi i vetëm financiar që paguan avokatët e Erion Veliajt dhe që sipas prokurorit të SPAK po e diskreditojnë atë në botë me raporte kundër procesit hetimor.
E njëjta drejtësi nuk ka asnjë ndjeshmëri që njeriu kyç i Gërdecit, ku filloi procesi i kapjes së shtetit nga familja Berisha, i pasuruar në mënyrë të paligjshme dhe i shpallur nga SHBA “përfitues nga korrupsioni madhor për shkak të lidhjeve me pushtetin e Sali Berishës si kryeministër”, jo vetëm që nuk hetohet për pastrim parash në një biznes qartazi me të ardhura të padeklaruara siç është televizioni i familjes Berisha dhe financimi ilegal i një partie politike, por as denjojnë ta prekin me dorë denoncimin që i është bërë me dokumente për pastrim parash në Prokurorinë e Tiranës.
Pra kemi familjarin e një viktime të drejtësisë së re, i cili po përndiqet pse paguan avokatët për vëllain e tij dhe djalin e kryeministrit të akuzuar për korrupsion zyrtarisht nga SHBA, korrupsioni i të cilit ka kushtuar edhe jetë njerëzish, që nuk i prek qimja e flokut.
Pas kësaj e gjithë drejtësia e re ngjan me një repart përndjekës të Sali Berishës. Drejtësia e re bën sikur i hap proces për klubin Partizani për ta dështuar, bën sikur i hap proces për 21 Janarin për ta mbyllur dhe hesht para një fenomeni të rrezikshëm në politikën e sotme: financimi me të ardhura të padeklaruara i një partie politike dhe media në funksion të mbrojtjes nga drejtësia dhe forcimit të imunitetit politik përmes financimeve të paligjshme.
Dhe të vetmin fokus e ka të linçojë dikë pikërisht pse me para të ligjshme paguan avokatët kundër tyre.



