Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka zhvilluar një takim në Ambasaden e SHBA-ve me zëvendës-ambasadorin amerikan Alexander Titolo, ku është diskutuar për gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe sfidat me të cilat përballet komuna.
Gjatë takimit, Sinani prezantoi një dokument që trajton një sërë çështjesh që prekin komunitetin shqiptar, përfshirë moszbatimin e marrëveshjeve të arritura më herët, mosnjohjen e diplomave të lëshuara nga Kosova, si dhe problemin e pasivizimit të adresave.
Në diskutim u ngritën gjithashtu edhe çështjet e nënpërfaqësimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore, sfidat në fushën e arsimit dhe zhvillimit ekonomik, si dhe shqetësimet që lidhen me shërbimin e detyrueshëm ushtarak, konkursin për zjarrfikës dhe gjendjen e infrastrukturës në Shkollën Fillore Shkolla Fillore “Prof. Ibrahim Kelmendi”.
Kryetarja Sinani shprehu mirënjohje për popullin amerikan dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Ambasades së SHBA-ve në Beograd ndaj çështjeve që prekin shqiptarët në Luginën e Preshevës, duke vlerësuar vëmendjen e treguar ndaj këtyre zhvillimeve.



