Demiraj: Zgjedhja e djalit të Khamenei Ajatollah, vendim strategjik i gabuar i Iranit

spot_img
Advertisements

nga Dritan Demiraj (Kolonel R)

Zgjedhja e Mujtaba Sayyed Khamenei në krye të Iranit është një vendim strategjikisht i gabuar dhe me pasoja të rënda për stabilitetin e rajonit.

Ky vendim nuk do të sjellë stabilitet për Iranin, por përkundrazi do të rrisë përshkallëzimin e tensioneve dhe angazhimin ushtarak amerikan në Lindjen e Mesme. Në vend që të hapet një rrugë drejt reformave dhe normalizimit të marrëdhënieve ndërkombëtare, lidershipi iranian ka zgjedhur vazhdimin e kursit konfrontues.

Kjo zgjedhje është e padrejtë dhe e dëmshme edhe për popullin paqedashës iranian, i cili për dekada ka paguar çmimin e izolimit ndërkombëtar, sanksioneve ekonomike dhe politikave aventuriste të regjimit.

E kam paralajmëruar publikisht edhe para shpërthimit të këtij konflikti se përshkallëzimi i tij rrezikon të dalë jashtë kontrollit. Sot, zhvillimet në terren po e konfirmojnë këtë realitet çdo ditë.

Situata bëhet edhe më e rrezikshme për shkak të përfshirjes së fshehtë të fuqive të mëdha. Mbështetja indirekte e Rusisë dhe veçanërisht e Kinës ndaj Iranit po e ndërlikon ndjeshëm balancën strategjike dhe po e vështirëson arritjen e objektivave ushtarake dhe politike në rajon.

Nëse lidershipi iranian nuk reflekton shpejt dhe nuk ulet në tryezën e negociatave, ekziston rreziku real që konflikti të zgjerohet dhe të përfshijë aktorë të tjerë rajonalë dhe globalë.

Sa më shpejt që politikanët iranianë të zgjedhin rrugën e dialogut dhe jo të konfrontimit, aq më shumë shanse do të ketë për stabilitet në Lindjen e Mesme.

Në intervistën time të fundit kam trajtuar edhe rolin e fshehtë të Kinës në këtë konflikt, një element strategjik që po bëhet gjithnjë e më vendimtar në zhvillimet e ardhshme gjeopolitike.

spot_img

Latest articles

Related articles