Një metodë hetimore e avancuar duket se ka qenë kyçe për SPAK në zbardhjen e një prej elementeve më të rëndësishme të dosjes AKSHI në lidhje me ish-shefen e institucionit, duke çuar në identifikimin e një apartamenti luksoz të dyshuar si pasuri e fshehur në Tiranë, i lidhur me Mirlinda Karçanajn.
Sipas materialeve hetimore, agjentët e BKH-së janë udhëzuar nga prokurori i çështjes për të analizuar në detaje tabulatet dhe qelizat e telefonisë celulare të saj për një periudhë gati dyvjeçare, nga 2 shkurt 2024 deri më 29 janar 2026.
Nga kjo analizë rezulton se për 214 netë telefoni i Karçanajt ka qenë i loguar në antenën Cell ID 25392938 (Qendra e Tiranës), ndërsa për 267 netë në antenën Cell ID 25420164 (ABA CENTER-E), duke krijuar një hartë të qartë të lëvizjeve dhe vendqëndrimit të saj gjatë natës.
Hetimi ka identifikuar edhe momentin e parë dhe të fundit të shfaqjes së antenës ABA CENTER-E në intervalin e natës, konkretisht më 26 dhjetor 2024 në orën 23:43 dhe më 28 janar 2026 në orën 21:40.
Një element kyç në këtë proces ka qenë analiza kronologjike e ashtuquajturës “qeliza e fundit para heshtjes”, që ka treguar se deri në fund të vitit 2024 antena dominuese gjatë natës ka qenë TWIN TOWERS-SE, e ndjekur nga TIRANA CNR-E dhe TIRANA INT HOTEL-S, ndërsa pas kësaj periudhe është konstatuar një rritje e ndjeshme e pranisë në antenën ABA CENTER-E.
Skyweb.al mëson se këto të dhëna janë gërshetuar edhe me dëshminë e shoferit të Mirlinda Karçanajt, i cili ka rrëfyer se fillimisht ajo qendronte te një shtëpi përballë Bankës së Shqipërisë që korrespondon me antenën në qendër të Tiranës dhe në një ditë fundi dhjetori u transferua te apartamenti luksoz në zonën e stadiumit Air Albania.
Sipas hetuesve, pikërisht kjo zhvendosje e qëndrimit gjatë natës ka çuar në identifikimin e një banese të dyshuar si pasuri e fshehur në zonën pranë Air Albania, e cila nuk rezultonte e deklaruar.
Në një vlerësim të integruar të të gjithë parametrave të analizuar, SPAK konstaton se modeli territorial i qëndrimit gjatë natës përqendrohet në zonën qendrore të Tiranës, kryesisht në trekëndëshin urban TWIN TOWERS – TIRANA CNR – ABA CENTER, duke përforcuar dyshimet mbi ekzistencën e pasurive të padeklaruara në këtë zonë.
Mirlinda Karçanaj rezulton pronare e disa pasurive në Tiranë si edhe e një vile në kompleksin Laguna Blu në Qerret, ofruar përmes manovrave me punjonjëset e besuara të Gentian Beqirit./skyw



